Shefi i AKI’së vazhdon të heshtë pas përfshirjes së djalit të tij në armëmbajtje e drogë

Mbrëmjen e 12 tetorit të këtij viti, Policia e Kosovës gjatë një patrullimi kishte gjetur armë pa leje e drogë në veturën që ishte duke u vozitur nga djali i një prej njerëzve kryesorë të sigurisë në vend, Shpend Maxhunit. Gjithë kjo ngjarje deri tani ishte mbajtur e fshehtë për publikun. Madje, edhe Policia e Prokuroria po mundohen ta shfajësojnë djalin e kreut të AKI’së për këtë rast. Ndërkohë, edhe pse po kërkohet dorëheqja e Maxhunit, vet ai nuk nuk është bërë ‘i gjallë”. Njoftim nuk ka lëshuar as AKI’ja.

Loading...

Ende pa u bërë dy muaj nga vrasja që ndodhi brenda objektit të instiucionit më të lartë të sigurisë në vend(AKI), që udhëhiqet nga Shpend Maxhuni, ky i fundit është përfshirë edhe në një skandal tjetër, përkatësisht djali i tij.

Mbrëmjen e 12 tetorit të këtij viti, Policia e Kosovës gjatë një kontrolli rutinor kishte ndaluar një veturë, brenda së cilës kishte gjetur armë pa leje e drogë.

Vetura në fjalë është në pronësi të Enver Maxhunit, por që ishte duke u vozitur nga nipi i tij, që është djali i një prej njerëzve kryesorë të sigurisë në Kosovë, Shpend Maxhunit.

Rastin e skandalit të shefit të AKI’së me djalin e tij e ka konfirmuar edhe Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

Por, më vonë Policia e Kosovës është kujdesur që përmes një komunikate dërguar mediave t’ia heq çdo njollë emrit të djalit të Shpend Maxhunit, Shpëtimit, ndaj të cilit është ngritur edhe një kallëzim penal.

Përmes kësaj letre policia shfajëson djalin e Maxhunit ndaj gjësendeve që u gjendën në veturën që ndodhej edhe ai.

Arma, fishekët, substanca narkotike edhe gjësendet e tjera, policia po thotë se nuk ishin pronë e djalit të Maxhunit.

“Siç u potencua me datë 12.10.2018, njësia policore gjatë patrullimit rutinor në fshatin Zllatar, kishte ndaluar veturën Golf IV me targa vendore, ku gjatë kontrollimit të tre personave që gjendeshin në veturë, duke përfshirë të apostrofuarin në media (Sh. M), ishte gjetur një revole e llojit “Zastava”, me një karikator dhe katër fishek të kalibrit 6. 35 mm.

Gjatë vazhdimit të kontrollit të automjetit, Policia thotë se në një pjesë të veturës është gjetur një thikë, si dhe një cigare e mbështjellë e cila dyshohej të jetë substancë narkotike, një mulli i bluarjes grinder ndaj të cilave janë duke u kryer hetime.

Në Polici thonë se personi i dyshuar ( A. K. ), i cili ka qenë në veturë ka deklaruar se cigarja e mbështjellë e gjetur brenda në veturë, si dhe mulliri i bluarjes grinder i përkasin atij.

“Si rezultat i vazhdimit të hetimeve, nga njësitet policore është intervistuar edhe personi i katërt i dyshuari ( R. M ), i cili ka deklaruar se arma është e tij dhe se i njëjti e ka harruar në veturën e apostrofuar dhe se nuk i përket të dyshuarit (Sh. M)”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në përkrahje të djalit të Shpend Maxhunit ka dalë edhe Prokuroria, e cila gjithashtu po tenton ta shfajësojë djalin e Shefit të AKI’së.

Zëvendës kryeprokuori i Prishtinës, Ibrahim Berisha ka deklaruar se ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të marrë më shumë informacione rreth rastit ku në veturën e babit të shefit të AKI-së.

Në bazë të këtyre informacioneve, Berisha thotë se veturën e ka drejtuar djali i Maxhunit porse arma dhe droga nuk kanë qenë të tij. Sipas tij, arma ka qenë e kushëririt të tij, Rinor Maxhunit ndërsa droga në cigare e një personit të tretë.

“Në veturë kanë qenë tre persona, atë e ka drejtuar djali i Shpend Maxhunit, ndërsa xhaketa me revole ka qenë e Rinorit. Kushërir i tij Rinori ka deklaruar se xhaketa dhe arma pa leje ishte e tij sipas informacioneve të fundit të cilat i mora. Droga e llojit marihuanë që është gjetur në cigare është gjetur të një person tjetër i cili ka qenë jashtë automjetit, kur është kontrollu ju ka gjet atij”, deklaroi Berisha.

Derisa tha se ai ende nuk e ka parë kallëzimin penal, pasi që ai është dorëzuar në prokurori të premten pasdite, por se informacionet shtesë i ka marrë nga policia, për më tepër prokuroia ka nisur hetimet.

Por, ndërkohë vet kreu i AKI’së, Shpend Maxhuni ndonëse kanë kaluar disa orë prej se është publikuar nëpër media ky rast, nuk është bërë “I gjallë”. As ai, e as institucioni që udhëheq nuk kanë dalë me ndonjë njoftm për çështjen në fjalë. Ndërkohë, që dorëheqja e Maxhunit nga pozita e Drejtorit të AKI’së është kërkuar nga anëtarët e Komisionit për Mbikqyrjen e AKI’së.

Për këtë rast, nuk janë deklaruar as krerët e shtetit, të cilët në raste të tjera janë pothuajse të parët që deklarohen për raste të tilla.

Ndryshe, që nga pas lufta Shpend Maxhuni është në hierarkinë e institucioneve të sigurisë. Fillimisht ishte Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, e tash Shef i Agjencisë Inteligjente të Kosovës.