“Më shau dhe deshi të më sulmonte” – futbollisti nga Drenica përplaset me trajnerin serb

Pasditja e së shtunës nuk ishte një ditë e qetë për Bajram Ajetin, 28-vjeçarin nga Drenica që aktivizohet në Suedi me Brommapojkarna-n.

Loading...

Në ndeshjen miqësore të Brommapojkarna-s, të zhvilluar sot ndaj ekipit serb Cukariçki, Ajeti u përfshi në një përleshje me trajnerin e skuadrës kundërshtare.

Tekniku i Cukariçkit Nenad Lalatoviq, siç shkruan mediumi serb Vesti, deshi të hynte në fushën e lojës për tu përleshur fizikisht me Bajram Ajetin. Por, Insporti ka kontaktuar me futbollistin 28-vjeçar të Brommapojkarna-s, i cili ka rrëfyer ngjarjen.

Ajeti ka thënë se incidenti kishte filluar pasi trajneri serb e kishte shtyrë atë me duar, në një moment kur topi kishte dalë jashtë vijave anësore – pranë bankinës së Cukariçkit.

“Ai [trajneri i Cukariçkit v.j] më shtyu mua, pastaj edhe unë e shtyva atë”, thotë Ajeti për Insportin, teksa rrëfen incidentin me Lalatoviqin. “Edhe filloj me sha serbisht. Tani unë nuk heqa dorë dhe e shava edhe unë”.

Në një moment kur gjakrat ishin nxehur mes Ajetit dhe Lalatoviqit, përplasja fizike ishte evituar falë bashkëlojtarit serb të Ajetit, portierit të Bromapojkarna-s, Nikola Petriq, i cili kishte ndërhyrë.

“Po e ka ndalur referi [trajnerin e Cukariqkit, v.j] dhe një lojtar në ekip temin që është i Serbisë, dhe tani asgjë nuk ndodhi”, u shpreh Ajeti për Insportin.

Ndeshja miqësore mes Brommapojkarna-s dhe Cukariqkit e zhvilluar sot në Qipro, përfundoi me rezultat 2-2.

Bajram Ajeti është transferuar tek Brommapojkarna në janar të këtij viti nga skuadra tjetër suedeze Gefle. Më parë, ai kishte luajtur në kategorinë e parë të futbollit norvegjez me skuadrën e Lillestrom.