Xherdan Shaqiri pohon se në Liverpooli ai shihet si një legjendë për faktin se kishte shënuar dy gola për t’i ndihmuar të kuqve ta mposhtin rivalin e përjetshëm, Manchester United, në dhjetor të vitit 2018.

Anësori shqiptar i Kombëtares së Zvicrës, Shaqiri, kishte shënuar dy herë brenda shtatë minutave, pasi ishte futur në lojë nga banka rezervë, duke ia siguruar fitoren 3:1 Liverpoolit kundër Unitedit.

Golat e Shaqirit kishin një rëndësi të madhe, të paktën për ta ardhmen e “Djajve të kuq”, pasi humbja nënkuptoi shkarkim nga posti i trajnerit për Jose Mourinho.

Portugezi u zëvendësua nga Ole Gunnar Solskjaer dhe United përfundoi në pozitën e gjashtë, ndërsa Liverpooli si nënkampion atë sezon.

27-vjeçari, i cili po përballet me mungesë të madhe të minutave në fushë këtë sezon, tha për mediat zvicerane se ndihet i lumtur në Liverpool përkundër saj, shkruan Goal përcjellë Klan Kosova.

“Përveç faktit që do të doja të luaj më shumë, unë jam i lumtur në Liverpool. Jam ndër liderët e këtij ekipi”, tha Shaqiri.

“Kam qenë në formacionin startues në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve kundër Barcelonës, e cila do të hyjë në histori të klubit. Mua ende më quajnë shpesh legjendë, për shkak të dy golave që i shënova për ta mposhtur rivalin e përjetshëm, Manchester United”, shtoi ai.

No tags for this post.