Ish-diplomati amerikan dhe njohësi i çështjeve që ndërlidhen me Ballkanin, Daniel Serwer, ka folur dje në një konferencë dedikuar sigurisë, të organizuar në Prishtinë.

Ai ka folur edhe një herë për idenë e presidentit Hashim Thaçi dhe Aleksander Vuçiqit, për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve.

Sipas tij, asnjëri prej këtyre dy presidentëve nuk mund t’i japin njëri tjetrit atë çfarë dëshirojnë, brenda idesë së shkëmbimit të territoreve.

“Për presidentin tuaj unë e them këtë” Vuçiq nuk mund t’iu jap juve atë që dëshironi në jug të Serbisë dhe ju nuk mund t’i jepni çfarë ai dëshiron në veri të Kosovës. As parlamenti, as përmes referendumit, apo as i gjithë vendi nuk mund të aprovojë një marrëveshje të tillë”, ka thënë Serwer, shkruan Gazeta Express.

Ai thotë se një ide e tillë për prekje të kufijve rrezikon sigurinë e gjithë rajonit madje edhe të Evropës, prandaj duhet përjashtuar.

“Shkëmbimi i njerëzve dhe territoreve në baza etnike jo vetëm që do të demonstron që as Prishtina e as Beogradi nuk janë në gjendje të trajtojnë të gjithë qytetarët e tyre në mënyrë korrekte. Një ide e tillë do të destabilizonte Bosnjën, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën”, ka shtuar Serwer.

I vetmi person i cili do të duartrokiste një gjë të tillë, Serwer thotë se është presidenti i Rusisë.

“Vetëm presidenti Putin mund ta mirëpriste një veprim të tillë”, ka potencuar Serwer.

Ai thotë se një ide e tillë është e rrezikshme, dhe nuk do të guxonte askush të merrte mbi supe atë rrezik.

“Shkëmbimi i territoreve mund të vë në dyshim edhe të ardhmen e serbëve në jug të Lumit Ibër, dhe shqiptarëve në jug të Serbisë. Askush nuk do të merrte një rrezik të tillë.”, ka thënë ndër të tjera Serwer./GazetaExpress/

No tags for this post.