Për festën e Pashkëve, Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli, kanë ngrënë darkë së bashku në shtëpinë e Ministrit Pal Lekaj. Konaku i tij ka shërbyer disa herë në Qeverinë Haradinaj si vatër e pajtimit sa herë që liderët kanë acaruar raportet mes vete.

Prej kohësh dy partnerët qeveritarë, Veseli e Haradinaj nuk ishin parë bashkë, e Gazeta Express ka shkruar për raportet e prishura të tyre prej ditës kur, pas fjalimit të kryeparlamenarit, Haradinaj u dëgjua duke thënë “qenef mashkull”.

E, sot Haradinaj, ka dashur të dëshmojë se raportet me partnerin e tij i ka në rregull.

Në Facebook, Kryeministri ka postuar fotografi, ku shihet bashkë me Veselin dhe zyrtarë të tjerë të PDK’së në shtëpinë e Ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt.

“Shqiptarët, shekuj me radhë, kanë kremtuar bashkë festat fetare të njëri-tjetrit. Kjo pasuri, është ndër vlerat më unike të së kaluarës dhe të sotmës së shqiptarëve. Sipas traditës sonë të çmuar, me kryeparlamentarin Kadri Veseli, në familjen e Lekë Lekajt në Novosellë të Gjakovës, për ta ndarë së bashku gëzimin e festës së Pashkëve”, ka shkruar Haradinaj.

Gazeta Express të premten ka pyetur Zyrën e Kryeministrit dhe Kabinetin e Kryeparlamentarit se kur ka qenë takimi i fundit i punës mes dy liderëve, ndërsa asnjëra palë nuk ka dashur të përgjigjet.

Jozyrtartisht nga Qeveria e Kosovës i kanë thënë Expressit që prej kohësh Haradinaj e Veseli nuk komunikojnë së bashku.

Për t’u kthyer serish të shtëpia e Lekajt; edhe para një viti Haradinaj kishte acaruar raportet me presidentin Thaci për shkak se shefi i Qeverisë nuk kishte dijeni se është përgatitur operacioni për kapjen dhe dëbimin e gjashtë shtetasve turq.

Kjo kishte ndodhur në mars, ndërsa për festën e Pashkëve, Lekaj kishte bërë bashkë Thacin dhe Haradinajn.

Haradinaj ishte mllefosur për dëbimin e gjashtë shtetasve turq, që mendohet që ka ndodhur me urdhër të Presidentit. Atë kohë Kryeministri shkarkoi ministrin e Brendshëm dhe shefin e AKI’së, pasi ia kishin mbajtur të fshehur operacionin – i konsideruar si i turpit edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Pasi Haradinaj deklarohet me dhjetëra herë kundër rrëmbimit të gylenistëve nga shteti, Thaci kishte filluar flirtin me Lekajn e AAK’së. Kishte shfrytëzuar një festën e Pashkëve për t’i shkuar Palit në shtëpi e për të postuar tutje një album fotografish me të. Aty takoi kryeministrin e hidhëruar. Presidentit, atë kohë, i mjaftoi të tregonte se raportet me Haradinajn nuk i kishte aq të acaruara, sic tingëllonin deklaratat e kryeministrit kur fliste për dëbimin e gylenistëve. /Express/