Serbia njeh Kosovën nëse merr Veriun? Ja si përgjigjet kryeministrja serbe

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, nuk ka mundur t’i përgjigjet dot një pyetje që i është bërë sot gjatë Forumit “BE-ja dhe Europa Jug-Lindore”. A do ta njohë Serbia, Republikën e Kosovës si shtet nëse për këtë do të merrte veriun e Kosovës?- ishte pyetja për të cilën Brnabiç nuk pati përgjigje.

Loading...

“Çfarëdo që unë mund të them mund të keqpërdoret në të mirë ose në të keqe. Sipas pozicionit tim, unë nuk mund ta imagjinoj që Serbia mund ta njohë Kosovën në atë formë dhe në atë mënyrë. Unë mendoj se jam liberale, por është një pyetje tmerrësisht emocionale dhe është shumë e vështirë të flasë lidhur me këtë “, ka thënë Brnabiç.

Në këtë forum ajo ka folur edhe për vazhdimin e dialogut në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është shumë i vështirë dhe sfidues. Jam krenare që Serbia po punon me fleksibilitet dhe po iu reziston provokimeve nga Prishtina. Ne po provojmë që të zgjidhim këtë çështje përmes një kompromisi”, ka thënë Brnabiç, transmeton Gazeta Express.

Kryeministrja serbe ka deklaruar se është kundër përfshirjes së një pale të tretë në këtë dialog, duke thënë se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një shembull i mirë se si dy vendet po lëvizin përpara  duke biseduar për diçka që garanton të ardhmen.

“Unë dëshiroj të shoh një zgjidhje. Do të dëshiroja që këtë konflikt të ngrirë të mos ua përcjellim gjeneratave të ardhshme. Është papërgjegjësi të thuhet se gjendja e status-quos është e mirë, disa politikanë opozitarë e thonë këtë “, ka shtuar tutje ajo.

“Puna jonë është që të zgjidhim problemin më të vështirë dhe të  lëmë stabilitet për gjeneratat e ardhshme”, ka përfunduar Brnabiç.