Serbët “inkurajohen” nga KQZ-ja për të kërkuar ndarjen e Suhodollit

Qeveria e Serbisë ka pretendime që ndarjen mes Mitrovicës ta shtrijë në Suhodoll, e cila sipas ligjit i takon Mitrovicës së Jugut. Këtë synojnë ta legjitimojnë duke u mbështetur në dokumente të institucioneve të Kosovës

Vendimi i Komisionit Qendror Zgjedhor që serbët e Suhodollit t’i vendosë në listat e votuesve në veri të Mitrovicës, ndërsa shqiptarët në listat e votuesve në jug, në zgjedhjet e fundit, ka inkurajuar autoritetet serbe që të kërkojnë ndarjen e Suhodollit sipas kësaj forme. Kjo është përmendur në një raport të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, mbi zbatueshmërinë e marrëveshjeve të Brukselit.

Në KQZ kanë refuzuar të flasin zyrtarisht se pse ka ndodhur një ndarje e tillë e votuesve. Vendimi i KQZ-së kishte ardhur pas një kërkese të votuesve të lagjes “Suhodoll i Poshtëm”, “Suhodoll i Epërm” dhe “Lagjes së Doktorëve” për të votuar në Komunën e Mitrovicës së jugut, shkruan Koha Ditore.