“Selimi me gjendje jo të mirë shëndetësore në burg, po përdorë një “arsenal” barërash”

KMDLNJ ka bërë të ditur se pasi ta ketë në disponim materialin gjyqësor për rastin Sylejman Selimi, do të dalë me një raport i cili do t’i evidentojë shkeljet e mundshme pas së cilave, do të kërkojë përgjegjësi ndaj atyre që kanë bërë shkelje eventuale.

Loading...

Monitorues të KMDLNJ-së gjatë një vizite në Qendrën Korrektuese në Dubravë, u takuan me të dënuar dhe të paraburgosur që kishin kërkuar të vizitohen nga ky Këshill.

Ata me këtë rast u takuan me Sylejman Selimin me të cilin biseduan për gjendjen e tij shëndetësore dhe zhvillimet e fundit për çka ai është deklaruar publikisht duke pohuar se ndaj tij po bëhen shkelje flagrante të drejtave të personave të privuar nga liria e që hyjnë në kompentencat e KMDLNj–së.

Gjendja shëndetësore e të dënuarit Sylejman Selimit nuk është e mirë dhe ajo mbahet nën kontrollë me një terapi të përditshme , për shkak të dhembjeve të mëdha të kokës nga migrena sikur edhe për shkak të problemeve reumatike.

Gjatë vizitës së KMDLNJ – së , monitorues të kësaj organizate kishin qasje në “arsenalin” e barërave që përdorte Selimi sikur që u vërtetuan se vetëm me injeksione të qetësuesve, përkohësisht mbahej nën kontroll kokëdhembja.

Përkundër kësaj gjendjeje shëndetësore, Sylejman ka thënë se nuk kërkon trajtim të veçantë shëndetësorë dhe se ka parasysh mundësitë që ofrohen në QKD për trajtim shëndetësor.

Ai po ashtu i ka deklaruar KMDLNJ-së se është refuzuar kërkesa e tij për lirim të parakohshëm nga Paneli për Lirim me Kusht ndonëse i ka plotësuar kushtet e parapara, pasi ka vuajtur 2/3 të dënimit, nuk ka asnjë vërejtje nga stafi dhe ka gjendjen shëndetësore të përkeqësuar.

Gjatë takimit me KMDLNJ- në, Sylejman Selimi ka shfaqur pakënaqësi të madhe shkaku se Gjykata Supreme nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila ka gjetur shkelje të procedurës dhe ka kërkuar rishqyrtim të lëndës.

Për këtë arsye, Selimi ka theksuar se mbahet kundërligjshëm më shumë se pesë muaj , pa vendim të gjykatës dhe se përmes shkeljes së ligjit atij i shkelen të drejtat elementare të njeriut. Për ta vërtetuar këtë thotë se në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë shkarkuar apo dorëhequr dy presidentë të Kosovës me një procedurë shumë të përshpejtuar.

Selimi thotë se nëse gjykata merr vendim për hetime, atij duhet t’i ndërrohet statusi, nga i dënuar në të paraburgosur dhe jo të mbahet në vuajtje të dënimit , pa vendim të gjykatës , pas një procesi të montuar politik.

KMDLNJ konstaton se pasi ta ketë në disponim materialin gjyqësor për rastin Sylejman Selimi, do të dalë me një raport i cili do t’i evidentojë shkeljet e mundshme pas së cilave, do të kërkojë përgjegjësi ndaj atyre që kanë bërë shkelje nëse ato dëshmohen.

Për më tepër, KMDLNJ kërkon prani më të madhe të mekanizmave vendorë monitorues për Panelin për Lirim me Kusht sikur edhe rishqyrtimin e të gjitha proceseve gjyqësore që janë udhëhequr nga ndërkombëtarët e të cilat janë denoncuar pikërisht nga gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë si të kurdisura dhe të porositura nga politika.

KMDLNJ ripërsërit dënimin e gjuhës raciste dhe fashiste që i kanë përdorur ndërkombëtarët e që janë dëshmuar në proceset e kurdisura kundër shqiptarëve.