Së shpejti edhe një bankë turke në Kosovë

Tregut bankar në Kosovë po i shtohet edhe një bankë e re komerciale. Mësohet se ajo është ‘ZiraatBank’ nga Turqia. Kjo do të rris në tri numrin e bankave turke në Kosovë, pas bankës TEB dhe ‘’Ish Banka”.
‘ZiraatBank’ pas Prishtinës, do të hap një degë edhe në Prizren. Por, hapja e një banke të re, nuk ka nënkuptuar deri tash ulje të kamatave, tha për Radio Kosovën, drejtori i Odës Amerikanë Arian Zeka.
“Futja e lojtarëve të rinj në sistemin financiar në Kosovë, jo domosdoshmërish ka rezultuar edhe në përmirësimin e ofertës, meqenëse problemi qëndron që zbatimi i kontratave nuk është në nivelin e duhur. Do të duhej që institucionet përkatëse, ministria e drejtësisë, institucionet e tjera përkatëse të punonin më tepër në rritjen e efikasitetit të gjyqësorit, që së paku ky arsyetim të mos mund të ekzistonte.”
Ndërkaq, drejtori i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku shpreson se banka e re do të ndikojë në uljen e kamatave: “Mund të them se jo vetëm që shpresojmë por ne mendojmë se është obligim i çdo banke të re që hyn në tregun e Kosovës, që të dëshmojë praninë e saj me produkte të reja, me oferta të reja, në këtë kontekst ajo kryesorja që ne si klientë presim është që norma e kamatave të ulet…”
Ndryshe, ZiraatBankasi që kuptimin në shqip e ka Banka e Agrikulturës, është njëra ndër tre bankat publike turke, e themeluar para afro 150 vitesh. Poashtu është njëra ndër bankat më të mëdha turke.