19 shkolla pritet të mbyllen në Kamenicë në muajin shtator, sipas vendimit të kreut të kësaj komune Qëndron Kastrati për shkak të gjendjes së keqe në të cilën ndodhen ato, por edhe numrit të vogël të nxënësve.

Por, ky vendim po kundërshtohet ashpër nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), e cila ka dalë kundër mbylljes së shkollave në Kamenicë.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jashari, në një intervistë për EkonomiaOnline, ka paralajmëruar grevë të përgjithshme, nëse ky vendim nuk anulohet.

“Ne nga ajo mbledhje dolëm bashkërisht me vendimin e cili përkrahet edhe nga SBAShK-u në nivel qendror, se nëse kryetari Kastrati nga vendimi i tij, në Kamenicë do të fillohet në shtator me greva. Ne kemi apeluar tek mësimdhënësit e Kamenicës që secili të shkojnë në shkollën e tij që të mos lejojnë që të mos lejojnë mbylljen e shkollave dhe nëse kryetari i përdorë mekanizmat e tjerë atëherë arsimi i Kamenicës do të shkojë fillimisht në një grevë paralajmëruese dy orëshe, dhe do t’i japim afat publik kryetarit që të mendoj edhe një herë dhe ta tërheqë vendimin”.

“Nëse jo unë do ta thërras këshillin drejtues të SBAShK-u dhe do të kërkoj nga mësimdhënësit e Kosovës dhe punëtorët e tjerë arsimorë që nga çerdhet e deri në universitete solidarizim, me kolegët në Kamenicë ngase e kemi detyrë”, thotë ai.

Jashari ka akuzuar Kastratin që në emër të reformave po synon t’i mbyllë këto shkolla pa ndonjë plan konkret.