Sami Lushtaku paraqitet në gjykatë

Në gjykimin ndaj të akuzuarve lidhur me tenderin gjashtë milionësh për sigurimin e objekteve të KEK-ut, Sami Lushtaku është paraqitur në Gjykatë, ndryshe nga seanca e kaluar gjatë së cilës kishte munguar.

Të akuzuar për këtë tender janë ish-drejtori i KEK-ut Arben Gjukaj, ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit Hysni Hoxha, ish- kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku, Esat Tahiri, Milazim Lushtaku, Driton Pruthi e Azem Duraku.

Seanca e kaluar kishte dështuar të mbahej pasi që në Gjykatë pa ndonjë arsye nuk ishte paraqitur Sami Lushtaku.

Pasi ishte konstatuar mungesa e tij, kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, kishte urdhëruar sjelljen e Lushtakut me detyrim.

Si duket urdhëresa e gjykatësit Beqir Kalludra i ka bërë punë Sami Lushtakut që i njëjti kësaj radhe të mos mungojë në Gjykatë.

Ndonëse Lushtaku dhe të akuzuarit e tjerë kanë qenë të pranishëm në seancë gjyqësore, kësaj radhe seanca ka dështuar në mungesë të avokateve.

Mbrojtësi i të akuzuarit Sami Lushtaku për KALLXO.com ka konfirmuar se i njëjti nuk ka qenë në seancë gjyqësore kjo për shkak se tha se është duke e respektuar vendimin e Odës së Avokatëve për bojkot të përgjithshëm.

“Nuk kam shkuar në seancë se jam duke e respektuar vendimin e Odës së Avokateve për bojkot të përgjithshëm. Të njëjtën kohë unë mendoj që është bërë një padrejtësi e madhe, na u ka pamundësuar me i kry detyrat tona neve avokatëve”, tha për KALLXO.com avokati Koci.

Sipas avokatit si pasojë e vendimit të KGJK-së, atyre po u pamundësohet kryerja e detyrave të tyre.

“Na u ka pamundësuar me i kry detyrat tona dhe unë në këtë rast më shumë mendoj për klientin se për vete dhe nuk mund ti ofroj klientit një mbrojtje efektive në këto kushte”, tha Koci.

Avokatët e Kosovës që nga sot kanë hyrë në bojkot të përgjithshëm. Kështu ka njoftuar Oda e Avokatëve të Kosovës.

Sipas OAK, “bojkoti i përgjithshëm” që nis të mërkurën do të vlejë për të gjitha Gjykatat, Prokuroritë dhe Policinë në tërë territorin e Kosovës.

Vendimi për bojkot erdhi pasi që Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nëpërmjet një e-maili dërguar të gjithë kryetarëve të Gjykatave Themelore të Kosovës, si dhe kryetarit të Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Supreme u ka dhënë urdhër që të aplikojnë urdhrin e kryetarit të Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Kryetari i Gjykatës Themelore Prizren, Ymer Hoxha, me datë 8 gusht 2018, kishte lëshuar urdhër përmes të cilit nuk u lejohej hyrja e avokatëve në objektin e Gjykatës pa ftesa, por edhe palëve dhe personave të tjerë u ndalohej hyrja nëpër Gjykatë dhe zyre të gjyqtarëve, pa ftesa apo pa aprovimin dhe lejen e kryetarit të Gjykatës apo pa leje të gjyqtarit.

Oda e Avokatëve të Kosovës ka njoftuar se Këshilli Drejtues i OAK më 05.01.2019 në mënyrë unanime ka vlerësuar që urdhëresa e Gjykatës Themelore në Prizren e datës 08.08.2018 dhe rekomandimi i KGjK-së i datës 27.12.2018 paraqesin shkelje themelore të parimit të qasjes në drejtësi dhe si të tilla janë të papranueshme.

Prandaj, kanë vendosur të fillojnë grevën e përgjithshme deri në heqjen e kësaj urdhërese.

Në mungesë të kushteve për mbajtje të shqyrtimit gjyqësor, seanca është shtyrë për datën 11 mars.