Sami Lushtaku e Remi nisen në vikend për Hagë, të hënën fillon intervistimi nga Specialja

Ish-komandantët e UÇK-së, Rrustem Mustafa dhe Sami Lushtaku, pritet që në këtë vikend të nisen drejt Hagës, ku të hënën do të intervistohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Avokati i Mustafës dhe Lushtakut, Arianit Koci në një prononcim për Telegrafin ka thënë se klientët e tij të paktën të dielën në mbrëmje duhet të jenë në Hagë.

Koci nuk ka dashur të komentojë se në çfarë cilësie janë ftuar dy ish-komandantët e UÇK-së, por ka bërë të ditur se ata do të intervistohen ndaras.

“Në këtë vikend do të udhëtojmë për në Hagë. Të dielën në mbrëmje ne duhet të jemi atje, pasi të hënën fillon intervistimi. Ata duhet të intervistohen ndaras, pasi unë jam avokat i të dyve”, ka thënë Koci.

Përderisa Lushtaku e Mustafa do të udhëtojnë për në Hagë, ish-komandanti tjetër i UÇK-së, Nazif Mehmeti pritet të intervistohet në Prishtinë.

Avokati i Mehmetit, Tahir Rrecaj ka thënë për Telegrafin që deri më tani nuk kanë marrë ndonjë ftesë, që klienti i tij të shkojë në Hagë.

Rrecaj është shprehur se që nga dita e thirrjes, ka pasur kontakte të vazhdueshme me Gjykatën Speciale.

“Natyrisht ne kemi kontakte të vazhdueshme me Specialen. Unë kam kërkuar sqarime, ata i kanë sjellë ato. Unë besoj që Nazif Mehmeti do të intervistohet në Kosovë. Pasi ende nuk kemi ndonjë thirrje eksplicite për shkuarjen e tij në Hagë. Dua të besoj se do të intervistohet këtu”, ka thënë Rrecaj.

Avokati gjithashtu ka theksuar se deri më tani nuk i është bërë e ditur, se në çfarë cilësie është ftuar Nazif Mehmeti.

Rrecaj ka bërë të ditur se “Komandant Dini” pritet që të intervistohet më 22, 23 dhe 24 janar.

“Ende nuk na është bërë e ditur për çfarë cilësie është ftuar Mehmeti, por besoj se para intervistimit kjo duhet të na tregohet. Pasi është krejtësisht e ndryshme të ftohesh si dëshmitarë dhe i akuzuar. Ai do të intervistohet me 22, 23 dhe 24 janar”, ka deklaruar Rrecaj për Telegrafin.

Më herët është raportuar se nga Specialja është ftuar edhe ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi, por këtë e kishte mohuar avokati i tij, Tomë Gashi.

Ky i fundit në rrjetin social Facebook kishte shkruar se deri më tani, klienti i tij nuk ka marrë asnjë ftesë.

“Gjeneral Sylejman Selimi, ish komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së nuk është ftuar asnjëherë nga Zyra e Prokurorit Special për tu intervistuar në Hagë. Të gjitha kontaktet zyrtare në formë të shkruar me Zyrën e Prokurorit Special për intervistimin e tij në Prishtinë jemi duke i udhëhequr unë dhe avokatët Amerikane Gregor Guy Smith dhe Colleen Rohan”, kishte shkruar Gashi.

Ftesë nga Specialja ka marrë edhe Remzi Shala, por që deri më tani po raportohet se ai është arratisur.

Ndryshe Gjykata Speciale ishte votuar në Kuvendin e Kosovës, më 3 gusht të vitit 2015. /Telegrafi/