Rushiti: Një kosovare do t’i rrëfejë përjetimet e dhunës seksuale në luftë – Nobeli, respekt për viktimat

Çmimi Nobel për Paqe për këtë vit i është ndarë dy personaliteteve që bëjnë fushatë që t’i japin fund përdorimit të dhunës seksuale si armë e luftës apo konfliktit të armatosur –  gjinekologut nga Kongo, Denis Mukwege dhe aktivistes për të drejtat e njeriut, Nadia Murad.

Loading...

Këtë lajm, Feride Rushiti që është drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës e ka cilësuar si një lajm të mirë.

“Është një lajm i veçantë për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale, në gjithë botën. Ky çmim i respekton dhe vlerëson të gjitha viktimat e dhunës seksuale dhe i vë në pah vuajtjet dhe nevojat e këtyre viktimave”.

“Pavarësisht zhvillimeve botërore, dhuna seksuale ende përdoret masivisht si krim i luftës”.

Rushiti ka treguar në Info Magazine të Klan Kosovës se ajo e ka përfaqësuar shtetin e Kosovës, në një iniciativë që e ka ndërmarrë dr.Denis, tashmë laureat i çmimit Nobel.

“Vitin e kaluar, Qendra për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës ka qenë në iniciativën e parë që e ka lansuar dr. Denis. Ka qenë një lëvizje globale për të krijuar një rrjet të viktimave të ë dhunës seksuale në mbarë botën. Në këtë ngjarje kanë qenë 30 shtete pjesëmarrëse ku është folur për nevojat e viktimave të dhunës seksuale”.

“Dr. Denis është gjinekolog që ka jetuar në Kongo dhe ka një spital që i ka shërbyer mijëra grave dhe vajzave që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës. Madje, kur e kam takuar në Gjenevë, ai më ka treguar se ka trajtuar edhe foshnje gjashtëmuajshe që i janë nënshtruar dhunës seksuale”.

“Kemi ndarë përvojat, zhvillimet, dhimbjet dhe humbjet. Ngjarja është zhvilluar në pesë gjuhë ku ishte shumë interesante se njëra nga viktimat tha se nuk ka nevojë të përdoret përkthimi sepse gjuha e njejtë është dhimbja.

“Qëllimi është që ky rrjet të ndërtojë një platfomë që do t’i shërbejë parandalimit të dhunës seksuale si mjet i luftës”.

Madje, Rushiti ka thënë se dr. Denis Mukëege, e di situatën në Kosovë në lidhje me viktimat e dhunës seksuale në Kosovë.

“Ai e di situatën dhe ka qenë pjesë e kësaj ngjarje. Ka qenë një ekspozitë në Gjenevë ku kam shpalosur disa punime të grave dhe një “brief note” në raport me zhvillimet në Kosovë.

“Për herë të parë Kosova është radhitur ndërkombëtarisht me vendet e tjera dhe është njohur vuajtja e mijëra grave që janë përjetuar një gjë të tillë”.

Ajo ka deklaruar se do ta prezantojë sërish Kosovën, në muajin nëntor kur do të mbahet edhe një takim i kësaj lëvizje që ka organizuar një punëtori njëjavore “From Ëords to Action” ku do të jetë e ftuar Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, ambasadorë të vendeve të BE-së, aktivistë të të drejtave të njeriut, përfaqësues të UN-it dhe të tjerë.

Rushiti ka dhënë një lajm ekskluziv në Info Magazine të Klan Kosovës. Ajo ka thënë se se shpejti, një kosovare, do të flasë publikisht, për përjetimet e saj si viktimë e dhunës seksuale.

“Njëra nga të mbijetuarat e  dhunës seksuale së shpejti do të flasë ekskluzivisht për herë të parë në Kosovë. Ajo është pjesë e lëvizjes globale dhe ka folur në sesionin e UN-it për dhunën seksuale”.

“Së shpejti do të vijë në Kosovë dhe do të ndajë përvojën e saj me të gjitha gratë, ndoshta edhe me mediat”.

“Ajo ka shprehur dëshirën të flasë për media, shoqërinë por mbi të gjitha për të mbijetuarit e dhunës seksuale”

“Ajo është pjesë e kampanjës – është kosovare, që në moshën 16 vjeçare i është nënshtruar dhunimit sikur gratë dhe vajzat e tjera. Jeton në Amerikë, ka krijuar familje dhe ndoshta është jashtë presionit social, që është në Kosovë”.

“Familjarët e saj e përkrahin mjaft.