Kosova ka resurse dhe kapacitete të mëdha turistike, por këto nuk shfrytëzohen sa duhet. Megjithatë viteve të fundit vërehet trendi i ardhjes së turistëve të huaj në Kosovë, ka shënuar ngritje. Zekë Çeku, ekspert i turizmit, në një intervistë për Indeksonlinë thotë se turizmi në Kosovë gjatë kësaj vere është karakterizuar me tri lëvizje mjaft pozitive.

“Në këtë vit ka pas një fluks më të madh të diasporës të cilët sipas organizatës së Kombeve të Bashkuara, janë turistë. Pra në Kosovë numri më i madh i turistëve është nga diaspora. Niveli i konsumeve dhe shpenzimeve të tyre, në të gjitha llojet e shërbimeve, hoteliereve, gastronomike etj, i kalojnë të gjitha shpenzimet e turistëve tjerë që vijnë nga vendet e ndryshme të botës. Ka pas një lëvizje mjaft pozitive në ardhjet e turistëve me projektet e mëdha të Ballkanit, në tre kufirin Mali i Zi – Kosovë – Shqipëri, që quhet turizmi i aktiviteteve në natyrë” shprehet Çeku.

Interesim për të eksploruar bukuritë e vendit tonë, kanë shprehur edhe turistët nga kontinentet tjera, sidomos nga Azia. Këtë verë në Kosovë kanë qëndruar vizitorë nga Hong Kongu e Kina.

“Gjatë këtij viti që nga prilli, ka pas lëvizje të grupeve të turistëve nga vendet tej oqeanike, Hong Kongu, Kina etj, përmes partnereve nga Shqipëria dhe Kroacia. Ka pas lëvizje më të mëdha të studentëve, hulumtuesve dhe të organizatave ndërkombëtare. Kjo është mjaft pozitive që përpara nuk ka qenë” deklaroi Çeku.

Sipas tij institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më tepër për të promovuar këtë lëmi që mund të sjellë përfitime financiare si për shtetin ashtu edhe për xhepin e kosovarëve. /Indeksonline/