Rrëzohet në det aeroplani me 188 pasagjerë

Një avion i kompanisë indoneziane të fluturimeve, “Lion Air” është rrëzuar në det së bashku me 188 persona në bord, pasi është nisur nga kryeqyteti i Indonezisë, Xhakarta.
Aeroplani është raportuar të ketë humbur kontrollin vetëm disa minuta pasi është nisur dhe besohet se ka përfunduar nën ujë.

Loading...

Ende nuk dihen shkaqet e rrëzimit dhe nuk ka pasur asnjë të dhënë për të mbijetuar.

Aeroplani ka qenë i tipit, “Boeing 737 MAX 8” dhe është përshkruar si lloj i ri i këtij mjeti transportues.

“Aeroplani është përmbytur në thellësi prej 30-40 metra në ujë”, ka thënë zëdhënësi i Agjencisë për Kërkime dhe Shpëtim. “Ende jemi duke kërkuar për mbetjet e aeroplanit”, është shprehur ai.

Ndërkohë në ujë janë gjetur disa sende personale të pasagjerëve. Në një konferencë të mbajtur pas këtij incidenti, zyrtarët bënë me dije se në avion ndodheshin 178 të rritur, një fëmijë, dy foshnje, dy pilotë dhe pesë pjesëtarë tjerë të ekipit.

Megjithatë ka raportime të ndryshme lidhur me numrin e personave që kanë qenë në bord.