Rrëfimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së për masakrat në Qirez dhe Likoshan

 

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zeqir Rexhepi, ka rrëfyer momentet e ballafaqimit me forcat serbe në vitin 1998, pas të cilës ndodhi masakra e Likoshanit dhe Qirezit.

Rexhepi në Info Magazine ka thënë se atëkohë çdoherë janë konsultuar me Komandantët Adem dhe Hamëz Jasharin për vendimet e mëtejshme se si të operojnë në ato momente, njofton Klan Kosova.

”Kemi biseduar fshehtas me Adem Jasharin, Hamëz Jasharin dhe kemi marrë vendim që të plagosurit duhet të kthehen në Shqipëri”.

”Kur është marrë ai qëndrim, familja jonë ka vazhduar rrugën duke i dërguar deri në kufi”.

”Në sulmin e parë ndaj familjes së Adem Jasharit në 1997, ka shkuar edhe vëllai im Beqir Rexhepi, i cili ka ruajtur gjithë natën. Kemi marrë vendime të prera që çdo rast që na sulmojnë ne do të veprojmë menjëherë ndaj forcave serbe”.

”Më 27 shkurt, me vendim të Adem Jasharit, pjesëtarët e UÇK-së shkuan që të dalin e të patrullojnë në Polac, Qirez, Likoshan dhe Gllanasellë”.

”Pas asaj, Musë Jashari, Rasim Kiçina dhe Jahir Hajdari, kanë dalë në Dobrashec për të marrë informata nëse janë serbët aty apo jo”.

”Ne dyshonim që do të kishte ballafaqime me forcat serbe. Kur jemi zgjuar në mëngjes, bashkë me axhën Rexhep Rexhepin, kemi dalë. Aty patrulla e UÇK-së ka hasë në një patrullë policore”.

”Ka nisur ndjekja e policisë serbe, kanë shkuar tek gjashtë lisat ku edhe kanë ndodhur shkrepjet e para”.

”Aty kanë qenë Rasim Kiçina, Jahir Hajdari, etj. Kanë shkëmbyer zjarr dhe është plagosur Sabit Lladrovci”.

”Na kanë alarmuar se patrullat serbe janë takuar me patrullat e UÇK-së. Kur kemi dalë me armë na u është bashkangjitur axha Rexhep Rexhepi, me armën që Adem Jashari na e kishte lënë atë kohë kur u nisëm për kufi”.

”Kemi shkuar në drejtimin prej fshatit Qirez drejt fshatit Likoshan. Kemi shkuar në Lagjen Ahmeti. I kam thënë vëllait të vëzhgojë”.

”Pasoja e kësaj përplasjeje me forcat serbe ka qenë se aty kanë filluar luftimet me një helikopter dhe 94 automjete. Kur e mori plumbi axhën, e strehuam tek familja Ahmeti”.

”Vëllai im ka hyrë në familjen e Prekazëve ku forcat serbe e kanë vrarë Rukijen shtatzënë”.

”Gjatë luftimit që është bërë në Likoshan kanë filluar ta nxjerrin familjen Ahmeti nga shtëpia, sepse aty s’ka pasur forca tona por vetëm forca serbe”.

”Të gjithë kanë vrapuar me armë për të na ndihmuar, por askush s’ka pasur mundësi të na ndihmojë, të depërtojë në këtë zonë”.

”Axha Rexhep Rexhepi më është vrarë në Likoshan në luftime, ka vdekur në ballafaqim të armatosur, ku mbetën të vrarë 20 civilë dhe katër dëshmorë”.

”Ne nuk kemi pasur mundësi tjetër. S’ka pasur tjetër zgjidhje përveç luftimeve”.

”Kur është kumtuar lajmi se kanë ardhur përreth forcat serbe, patrulla nga Rezalla dhe fshatrat tjera janë nisur sepse po të vazhdonte edhe më tej do të bëhej një katastrofë më e madhe”.

1000 e më shumë ushtarë dhe policë serbë kanë qenë atë ditë kur këto forca kryen masakrën”.