Rinia Demokratike e Kosovës (RDK), me rastin e Ditës së Evropës, në mënyrë simbolike ka shënuar këtë ditë, duke dhënë mesazhet dhe shqetësimet për privimin e të rinjve të Kosovës nga kjo e drejtë.

Kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi, ka bërë me dije se me këtë aktivitet kanë ngritur shqetësimin drejtuar Bashkimit Evropian dhe vendeve evropiane pasi edhe pse janë përmbushur kërkesat për lëvizje të lirë Kosova po vazhdon të mbetet e izoluar.

“Ora është 11:55, pra 5 minuta pa u mbushur 12-shi, janë 5 minutat e fundit të cilët simbolizojnë kohen e fundit të mbetur për BE-ne dhe vendet evropiane të na pranojnë në gjirin e saj, aty ku e kemi vendin. Me improvizimin e disa simboleve evropiane rreth simbolit tonë, shenjtores Nëna Terezë,  duam të tregojmë se ne jemi pjesë e Evropës dhe jemi në zemër të saj, me vlerat universale që përcolli shenjtorja Nëna Terezë”, ka theksuar Bislimi.

Ai ka potencuar se me vlerat dhe parimet tona tradicionale, Kosova ia shton vlerat BE-së dhe e pasuron diversitetin e mrekullueshëm kulturor evropian, por edhe përqafon vizionin e përbashkët për paqe dhe prosperitet.

“Rinia Kosovare, ka potencial të jashtëzakonshëm intelektual dhe talente, nuk dallon nga bashkëmoshatarët evropian bile edhe në raste të ndryshme mund të jetë edhe më e avancuar, andaj kërkojmë që mos të na mohohen të drejtat thelbësore për lëvizje, socializim dhe shkëmbim të përvojave dhe ideve për një Evropë dhe botë më të mirë, me bashkëmoshatarët tanë në BE”, ka cekur Z. Bislimi, kryetar i Rinisë Demokratike të Kosovës.