Dy partitë opozitare nga legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës, në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, shënuan fitore në raport me partitë që ishin në pushtet. Bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve, është subjekti politik që duhet t’i iniciojë bisedimet për formimin e qeverisë së ardhshme.

Nga 98 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar rreth 26 për qind, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar rreth 25 për qind të votave.

Në vendin e tretë renditet PDK-ja me rreth 22 për qind, kurse në vendin e katërt është me rreth 12 për qind.

Nisma aktualisht nuk e kalon pragun prej 5 për qind, pasi ka 4.89 për qind, shkruan Ballkani.info.

Tashmë kur rezultatet janë afër zyrtarizimit edhe nga KQZ-ja, me interesim priten votat që kanë marrë kandidatët për deputet.

Siç qëndrojnë punët, VV-ja me këtë rezultat pritet t’i ketë 31 deputetë, LDK-ja 30, PDK-ja 25 dhe AAK 15.

Ballkani.info merr vesh se në listën e koalicionit AAK-PSD më i votuari sigurisht se është bartësi i listës, Ramush Haradinaj, mirëpo menjëherë pas tij renditet Daut Haradinaj.

Burimet tona thonë se Daut Haradinaj pritet t’i merr rreth 30 mijë vota.

“Haradinaj vetëm në Deçan i ka afërisht 7100 vota, kurse edhe në komunat tjera të Dukagjinit qëndron shumë mirë. Votë Daut Haradinaj ka edhe në pjesët tjera të Kosovës”, kanë thënë këto burime për Ballkani.info. /Ballkani.info/

Lexo edhe: PSD dhe Shpend Ahmeti i ndihmuan AAK-së dhe Haradinajt me vetëm 107 vota në Prishtinë!