Rekord në aeroportin “Adem Jashari”, shpërblehet udhëtari i dymiliontë

Në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” është shënuar një rekord i udhëtarëve prej dymilionësh brenda një viti për herë të parë.

E për këtë udhëtari i dymiliontë, Naser Sadriu nga Podujeva, është shpërblyer me një biletë kthyese dhe me shërbimet e aeroportit brenda një viti.

Loading...

Sadriu, i cili jeton në Zvicër ka ardhur në Kosovë për një rast vdekjeje, ndërsa ka falënderuar aeroportin për këtë dhuratë.

Ndërkaq, drejtori i operimeve, Gokman Aritay, ka thënë se numri i madh i udhëtarëve brenda këtij viti është një sukses i madh për aeroportin “Adem Jashari”.

“Është kënaqësi e imja te mirëpres udhëtarin e dymiliontë, si festë historike. Numri i udhëtarëve është në rritje dhe ky llogaritet si sukses i aeroportit tonë”, ka thënë Aritay.

Ndërsa ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se ky sukses është i përbashkët dhe se ka premtuar se do të jetë mbështetës i fuqishëm i punëtorëve të zellshëm dhe kompanive.

“Ky është një mesazh për të gjitha kompanitë dhe ata që duan të investojnë në Kosovë se Kosova është hapësirë e mundësive për të investuar. Kjo është një storie që duhet të përkrahet dhe vetë dëshmia e sotme e pasagjerit të dymiliontë ka një domethënie se ne nuk do te ndalemi këtu. Ky aeroport ka pas sukses gjatë këtij viti. Ne kemi bërë investime edhe në zgjatjen e pistave për t’u për qytetarët”, përfundoi Lekaj.