Refuzohen 60 persona “të dhunuar”

Mbajnë goxha dhimbje mbi supe për më shumë se 20 vite.

Loading...

Në gjithë këtë kohë, viktimat e dhunës seksuale këtë dhimbje e mbajtën thuajse të fshehur. Por pas një nisme të Qeverisë së kaluar për të njohur statusin e tyre, viktimat kanë filluar të deklarohen.

Procesi i regjistrimit që ka nisur në vitin e kaluar, po ecën shumë mirë sipas Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të mbijetuarve të Torturës.

Feride Rushiti nga kjo organizatë ka thënë për Infokusin se deri më tani ka interesim për tu regjistruar nga të dyja gjinitë.

Kjo qendër ka pranuar një numër të aplikimeve të cilat janë në shqyrtim, dhe njëkohësisht po presin për aplikime të reja, shkruan Infokusi.com

“Procesi po shkon mirë, ka të interesuar persona qoftë meshkuj e qoftë femra të cilët po aplikojnë si viktima të dhunës seksuale pranë komisionit qeveritar për njohje dhe verifikim. Deri më tani janë diku 470 dosje të cilat janë në shqyrtim, prej tyre 80 kanë marrë vendim pozitiv, 60 janë në vendim negative”, tha Rushiti.

Janë edhe një numër i këtyre dosjeve të cilat në mungesë për të mbështetur përdhunimin seksual, po refuzohen nga Komisioni qeveritar për verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës.

“Aplikacionet e refuzuara janë ato të cilat nuk kanë shumë të dhëna, nuk është ngjarja e përshkruar ngjarja hollësisht, nuk ka burime që ndërlidhën me dëshmitar, apo nuk ka prova të mjaftueshme shëndetësore  për të përkrahur ngjarjen. Në këto raste u jepet një vlerësim negativ, apo komisioni i thërret ata për një intervistë gojore, e në qoftë se prapë nuk ka elemente të mjaftueshme i jepet vendim negativ, por prapë i jepet mundësia për të bërë ankesë për rishqyrtim”, theksoi Rushiti.

Megjithatë për këto vendime të refuzuara, nuk ka përfunduar gjithçka. Të gjithë ata që nuk kanë arrit të sjellin prova të mjaftueshme, kanë sërish një afat kohor kur mund të sjellin fakte mbështetëse.

“Vendimet negative nuk janë mbyllur, ata kanë mundësi të bëjnë ankesë për rishqyrtim të lëndës. Prandaj nga këto rastet të refuzuara mundet që ndonjëri të përfitoj prapë për shkak se mund të sjell dokumente apo prova të reja që e përkrah ngjarjen e viktimës. Pra nuk janë definitive 60 aplikimet e refuzuara”, theksoi Rushiti.

Rushiti thotë se koha e paraparë për shqyrtimin e një aplikimi nuk po del të jetë e mjaftueshme.

Shqyrtimit të aplikacioneve iu duhet më tepër kohë se sa një muaj. Në këtë fazë kjo pikë mbetet sfida e vetme për këtë proces.

“Rastet e tjera janë nën shqyrtim e sipër. Çka është si sfidë për komisionin dhe për neve që po punojmë është koha e cila është menduar për me e shqyrtua një lënde, dhe e cila ka qene e planifikuar për 30 ditë. Mënyra qysh po ecën procesi deri tani po duket se nuk po është e mundur me u bë. Kjo për faktin që komisioni i cili punon në orar të plotë dhe është i përkushtuar vetëm për këtë punë, e që janë njerëz profesionistë të fushave të ndryshme e që takohen dy herë brenda javës, por procesi po shkon më ngadalë që është planifikua”, shtoi Rushiti.

Rushiti thotë se nuk ka shifra të aplikimit për burra dhe gra të cilët kanë aplikuar shkaku se disa aplikacione janë duke u rishqyrtuar, por pohon se numerikisht gratë janë dukshëm më shumë se sa burrat.

“Megjithatë interesimi është i shtuar për faktin se që nga 5 shkurti e deri më tash janë diku deri 500 veta nga shifrat e komisionit. Ka të interesuar edhe burra edhe gra por nuk mundem të jap shifra ngase dosjet janë në rishikim. Por atë që mundem me thënë është se 90 % janë femra, kurse pjesa tjetër janë burra”, tha tutje Rushiti.

Krejt në fund Rushiti tha se janë duke shqyrtuar të gjitha çështjet të cilat mund të pengojnë këtë proces.

“Jemi duke zhvilluar një projekt që të shohim procesin se si po ecën, të shohim se cilat mund të jenë sfidat gjatë procesit, dhe se cilat do të jenë hapat e mëtutjeshme”, përfundoi Rushiti.

Ndryshe, nga kjo nismë që u miratua në vitin 2014 nga Qeveria e Kosovës, parashihet që viktimat e përdhunimit të luftës të përfitojnë një pension në të holla për çdo muaj./Infokusi