Reagon komuna e Skenderajt për djaloshin 28 vjeçar që jeton i vetëm dhe ndaj shkrimit për të “Si në Alepo”

Komuna e Skenderajt ka reaguar në lidhje me shkrimin që është botuar në disa portale për djaloshin që jeton i vetëm në një barangë në mes qytetit.

Loading...

Portali Drenica Press ju sjellë reagimin e plotë të komunës së Skenderajt:

Reagim ndaj shkrimit me titull “Si në Alepo” të publikuar në gazetën e përditshme Zëri dhe portalin Zëri.info më datë 30 dhjetor 2016, si dhe të cituar nga portalet Drenica Press dhe Veriu.info, të njejtën ditë.

A.G. nga Skenderaj nuk ka problem me strehim Komuna e Skenderajt, duke parë shkrimet e publikuara gjatë ditës së djeshme në gazetën Zëri dhe në portalet Zëri.info, Drenica Pres dhe Veriu.info që trajtojnë jetën e një qytetari të Skenderajt, e sheh të nevojshme të informoi publikun me të vërtetën e rastit të A.G. qytetar i Komunës së Skenderajt. E informojmë opinionin për rastin si në vijim: Në lidhje me rastin e qytetarit të Skenderajt A.G. publiku është keq informuar skajshmërisht me tendencë të skandalizimit të opinionit dhe rritjes së klikimeve. Komuna e Skenderajt është e informuar detajisht me rastin, por mediat e përmendura nuk kanë dashur apo nuk marrë mundimin të informohen drejt, pasi asnjëherë nuk kanë marrë informata zyrtare në lidhje me rastin. A. G. është qytetar nga Vajniku i Skenderajt që nuk ka probleme me strehim, por fatkeqësisht ka probleme të tjera. Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, përkatësisht Drejtori Enver Gashi është marrë disa herë me rastin, duke kontaktuar personalisht familjarët e personit në fjalë. Në këtë aspekt mund të sigurojmë opinionin publik se A.G. ka shtëpi në fshat me kushte optimale për jetë, mirëpo familjarët edhe pas përpjekjeve të vazhdueshme për ta mbajtur në shtëpi nuk kanë arritu ta bëjnë këtë. Pra A.G. ka shtëpi dhe dhomë personale, mirëpo nuk dëshiron të rrijë në të edhe përkundër insistimit të familjes së tij. Drejtori e Shëndetësisë në Skenderaj është ballafaquar edhe me raste të tjera të ngjajshme, mirëpo, personat në raste të tilla lëvizin gjatë ditës në pjesë të ndryshme të Skenderajt, por në mbrëmjë kthehen në shtëpitë e tyre. Është obligim i yni si institucione dhe mediave në përgjithësi që karshi problematikave të ndryshme të informojnë drejt dhe me korrektësi opinionin publik, pasi keqinformimi apo dezinformimi i tij si në këtë rast, dëmton kredibilitetin e mediave të caktuara. Ne si komunë asnjëherë nuk kemi hezituar të kemi bashkëpunim të vazhdueshëm më të gjitha mediat, duke ju dhënë mundësi atyre të marrin informacione gjatë gjithë kohës. Informimi i drejtë dhe i paanshëm i poblikut bëhet duke dhënë informata të argumentuara nga burimet e tyre dhe jo me synimin për të rritur numrin e klikimeve.