Mbledhja e komisionit hetimor për deportimin e gylenistave në të cilin për rreth 4 orë ka raportuar Presidenti Hashim Thaçi, ka përfunduar, njofton Indeksonline.

Mbledhja u mbyll ndonëse nuk ka përfunduar në tërësi i gjithë raportimi i Thaçit.Presidenti që nga fillimi i mbledhjes së komisionit ka kërkuar përgjigjeje lidhur me emërimin e eksperti amerikan i cili është propozuar nga ish avokati i popullit, Sami Kurteshi, duke mos u përgjigjur në pyetjet e deputetëve lidhur me gylenistët.

Deputeti Muharrem Nitaj, e përgëzoi Thaçin për “shfaqjen fantastike” duke i propozuar kryetarit të komisionit që të përfundojë mbledhjen.

“Presidenti nuk do përgjigjet pa një interpretim ligjor. Ajo që po e kërkon presidenti është e parealizueshme. Keni bërë një shfaqje fantastike, besoj që jeni kënaq shumë. Sqarimi ligjor nuk merret brenda ditës. Unë propozoj kryetar që të mbyllim këtë takim”, tha Nitaj.

Edhe deputeti i LDK-së ishte i të njëjtit mendim, ndonëse kërkoi që të konstatohet mosgatishmëria e Thaçit për të raportuar para komisionit hetimor.

“Këtë takim duhet ta mbyllemi me një konstatim për mosgatishmërinë e Presidentit për të raportuar. Nuk konsideroj që mundemi me shkuar më tutje me këtë lojë, me këtë skenar”, tha Driton Selmanaj.

Mirëpo më këtë nuk u pajtua Thaçi.

“Unë dua të dëshmoj për këtë arsye jam këtu sigurojeni bazën ligjore unë vijë”, u përgjigj presidenti Hashim Thaçi.

Kurse deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, tha se presidenti ka marrë pjesë në mbledhjen e komisionit vetëm për shkak të presionit të ndërkombëtarëve.

“Ardhja këtu është presioni i madh i ambasadave të huaja pas leximit të raportit që ka dalë. Presidenti Hashim Thaçi me të gjitha lojërat manipulimet që i bën që janë të gjitha banale, nuk është i gatshëm të dëshmoj, të përgjigjet në asnjë pyetje”.

Mirëpo, për dallim nga kolegët e tij, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, kritikoi kryetarin e komisionit për mos menaxhim të mirë të mbledhjes.

“Presidenti nga fillimi e pati një kërkesë…Komisioni duhet me mbajt një mbledhje të re dhe me bërë një kërkesë sipas kërkesës së Presidentit . Unë e kisha liruar presidentin, mbledhjen e kemi devijuar. President të falënderojmë na vjen keq që ta kemi shpenzuar kohën”, tha Beqa.

Një vit më parë, Kuvendi i Kosovës ka formuar komisionin hetimor parlamentar, i cili është marrë me deportimin e gjashtë shtetasve turq.

Mandati i këtij komisioni, është vazhduar javë më parë edhe për 30 ditë, për shkak të mos përfundimit të raportit brenda afatit të caktuar fillimisht. /Indeksonline/