Duket se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po i hedh edhe më shumë zjarr, përplasjes ndërmjet Sali Berishës dhe Hashim Thaçit. Kjo pasi që sot në veri të Shqipërisë, rajon ky që sinjifikon edhe PD-në e Berishës, Rama e ka gjetur një kryetar bashkie të partisë së tij për t’i dhënë një çmim nderi presidentit të Kosovës.

Një ngjarje  e tillë ka ndodhur sot, ku Thaçi është shpallur ‘Qytetar Nderi’ i bashkisë së Hasit, që udhëhiqet nga socialisti Adem Lala.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një ceremoni zyrtare sot është shpallur “Qytetar Nderi” i Bashkisë së Hasit. Ky titull nderi, sipas krye bashkiakut të Hasit, Adem Lala, i është ndarë presidentit Thaçi për kontributin e pazëvendësueshëm për çlirimin e trojeve shqiptare si lider politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe për vlerësimin që i ka dhënë popullit hasjan si mbështetës të denjë gjatë luftës së Kosovës” njofton komunikata e presidencës.

Gjatë kësaj vizite atje, Thaçi e ka zënë në gojë edhe vendin e lindjes së Sali Berishës, Tropojën.

“Kreu i shtetit theksoi se qysh në moshë të re e njeh këtë trevë dhe i njeh familjet hasjane, edhe në Nikoliq, edhe në fshatrat përreth Krumë, Kukës e Tropojë”, potencon komunikata.

Kjo shpallje e Thaçit qytetar nderi në një komunë në veri të Shqipërisë, vjen në kulmin e përplasjeve ndërmjet Thaçit e Berishës, me akuza nga më të rëndat, për shërbim ndaj Sllobodan Millosheviqit, lidhje me arkanin, etj.

E gjithë kjo përplasje vjen pasi Berisha ka akuzuar Thaçin se po e valvitë flamurin e ‘Serbisë së Madhe’, me idenë e korrigjimit të kufijve.

Kujtojmë se Thaçi ka mbështetje të pa rezervë nga Edi Rama rreth idesë për prekje të kufijve./Express/