Gjatë konferencës së përbashkët me shefen e BE-së për politikat e Jashtme, kryeministri Edi Rama u pyet edhe për projektin e copëzimit të Kosovës dhe rolin e tij në këtë drejtim.

Por Rama duke i mohuar akuzat hodhi një “lumë” ofendimesh të drejtpërdrejta ndaj kreut të ekzekutivit kosovar, Ramush Haradinaj.

“Për sa i përket komplotit për të copëtuar Kosovën dhe krijuar në mënyrë të fshehtë një hartë të re të botës, më kujton atë shprehjen “sa pa dalë Facebook, budallain e njihte vetëm shtëpia e vet”. Sot jetojmë në një botë që nga kjo pikëpamje është fatkeqe dhe porosia e një manuali të agjitacionit nazist që thoshte “nëse do që gënjeshtrën tënde ta besojnë, bëje të pabesueshme”, është në përdorim të përditshëm për të goditur kundërshtarë e për të sulmuar njerëz.

Nëse ka budallenj se një proces që përfshin të gjitha shtetet e botës mund të bëhet fshehurazi nga disa persona dhe të kalojë në gjithë këtë proces që thashë si miu nën mustaqe, atëherë kjo botë ka marrë fund.

Por unë besoj se çdo shqiptar e kupton që kjo është e gjitha një gënjeshtër e bërë aq e pabesueshme që pikërisht që të mund të shitet e blihet në territorin e marrëzisë online. Më shumë do ta shpjegoj më tutje kur të më jepet mundësia”, tha Rama.