Menjëherë pasi Presidenti Ilir Meta lajmëroi anullimin e dekertit për zgjedhjet e 30 qershorit, Kryeministri Rama dhe mazhoranca nxituan të deklaronin se zgjedhjet do të bëhen në 30 qershor. Madje disa analistë u shprehën se mazhoranaca duhet të shkarkojë Presidentin. Por çfarë parashikon Kushtetuta për shkarkimin e Presidentit të Republikës?

Neni 90 i Kushtetutës parashikon rastin kur shkarkohet Presidenti. “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”, – thuhet në nenin 90 të Kushtetutës.

Pra edhe nëse mazhoranca vendos të shkarkojë Presidentin, është Gjykata Kushtetuese që e legjitimon vendimin, por sot ky institucion është jashtë funksionit, pasi nuk ka anëtarët e mjaftueshëm për të zhvilluar mbledhjet.

Neni 90

1. Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij.
2. Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.
3. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.