Qytetarët “i vendosin” vizë Hahn në prag të vizitës së tij

Komisionari për Zgjerim pritet të vizitojë sot Kosovën, ku edhe do të takohet me liderët politikë për të diskutuar edhe për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj Serbisë.

Loading...

Kërkesa e vazhdueshme e Bashkimit Evropian që të tërhiqet kjo taskë po kundërshtohet nga qytetarët e Kosovës.

Në këtë mënyrë, një grup i tyre në krye me aktivistin nga Drenasi, Xhavit Drenorin në shenjë proteste kanë vendosur edhe pankartë për të.

 

 

Me anë të kësaj pankarte ata i urojnë mirëseardhje Hahn duke i thënë se Kosova po aplikon reciprocitet, prandaj edhe i kërkojnë viza për në Kosovë.

“Mirëserdhe në Kosovë z Hahn! Ne jemi për reciprocitet, kështu që u duhet viza që të hyni në  Kosovë. Për një vizë, u duhen 45 dokumente të ndryshme dhe 35 euro.(Hiqni vizat)”, ishte kjo porosia për komisionarin evropian i cili pritet që sot të qëndroj për vizitë në Kosovë.

Drenori tha se kanë ardhur për të dhënë këtë porosi për komisionarin evropian dhe për te shprehur indinjatën ndaj BE-së për qasjen karshi qytetarëve të Kosovës, të cilët po vazhdojnë të jenë të izoluar dhe pa liberalizim të vizave.

Sipas tij, për gjendjen në Kosovë, fajtor nuk është vetëm politika vendore,   por edhe vetë BE-ja e cila e ka ndihmuar formimin e shtetit të Kosovës.

“Nëse ata mendojnë se elita jonë politike është e korruptuar atëherë të mos bashkëpunojnë me ta, por mos t’i lënë qytetarët të izoluar”, tha ai.

Ndryshe gjatë ditës së sotme komisionari evropian për Zgjerim, Johannes Hahn gjatë kësaj vizite në Kosovë pritet të takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrin, Ramush Haradinaj./Indeksonline/