Qytetarët vazhdojnë të mbesin të izoluar, as këtë vit s’ka viza!

Siç duket qytetarët e Kosovës nuk do të mund ta gëzojnë as këtë vit lirinë e lëvizjes. Kjo pasi që kanë mbetur vetëm dhe dy muaj në përfundimin e vitit 2018, dhe gjasat që të largohen vizat këtë vit janë minimale, shkruan ‘Gazeta Blic’.

Loading...

Për deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugovën, fajin për këtë e ka Qeveria Haradinaj. Korrupsion në dikasteret qeveritare, abuzimet me paratë publike e të tjera probleme.

“Kjo Qeveri dhe këta partner të koalicionit e kanë humbur sensin e përgjegjësisë publike dhe moralit për fjalën publike. Vetëm para disa javësh trumbetuan se këtë vit udhëtojmë pa viza. Çka ndodhi, kush e ka përgjegjësinë? Nuk është çështja të vendet që nuk e kanë njohur, por të shkalla shumë e lartë e korrupsionit në Kosovë, e sidomos në dikasteret qeveritare, sundimi i rendit dhe ligjit në trende shqetësuese, ndërhyrja flagrantë të politikës në gjyqësor, abuzime me paranë publike. Lider institucional pa koordinim dhe me qëndrime tejet kundërthënëse dhe të dëmshme për vendin”, ka thënë Naser Rugova për ‘Gazeta Blic’.

E vetmja zgjidhje për të dalë nga kjo gjendje, sipas deputetit Naser Rugova janë zgjedhjet e reja parlamentare.

“Zgjidhja është të zgjedhjet e reja parlamentare, formimi i një qeverie normale dhe të përgjegjshme që do të merrte përsipër nxjerrjen e vendit nga ky kaos, në të cilën ndodhemi. Mesazhi i BE-s, për popullin e Kosovës është: Do mbeteni të izoluar nëse vazhdoni të mbështesni politikan të këtij niveli në qeverisje”, ka theksuar ai.

Ditë më parë, Ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, ka  deklaruar  se nëse nuk sigurohet shumica e votave të nevojshme pro liberalizimit të vizave në Këshillin e Ministrave të BE-së, atëherë votimi i paraparë në fillim të dhjetorit të këtij viti mund të shtyhet derisa të sigurohet qëndrimi pozitiv i shumicës.

“Nëse nuk ka shumicë gjatë votimit për liberalizimin e vizave te Këshilli i Ministrave vendimi për votim shtyhet derisa nuk merret qëndrimi pozitiv i shumicës së anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Procedurat nuk kthehen prapa dhe konsideroj se shembulli i kthimit në proces deri më tani nuk ka ngjarë, as në rastin tonë nuk do të ngjajë”, ka thënë ditë më parë Dhurata Hoxha.

Dhurata Hoxha

Ndërkohë, në takimet e mbajtura së fundi në Bruksel është bërë e ditur se janë më shumë se 10 shtete që e kundërshtojnë heqjen e vizave për Kosovën./Gazeta Blic./