Qytetarët e Kosovës ja shohin hajrin iniciativës së Mergim Lushtakut

Iniciativa të cilën e pati ndërmarrë deputeti i Kuvendit të Kosovës, Mergim Lushtaku, përfundoi me vendimin e rritjes së kufirit nga 10 në 15 vjet. Sot Komisioni për Zhvillimin Ekonomik në Kuvendin e Kosovës ka marrë vendim për këtë rritje të kufirit të vjetërsisë së importit të automjeteve.

Loading...

I kontaktuar nga KosovaLajm.net, deputeti Lushtaku u shpreh se ndjehet jashtëzakonisht i kënaqur për këtë hap të ndërmarrë nga Komisioni i Kuvendit.

“I përgëzoj qytetarët fillimisht duke shpresuar që kjo iniciativë që kam ndërmarrë të lehtësojë jetën e tyre dhe secila familje të ketë mundësi të ketë një veturë ngase pasur parasysh dinamikën në të cilën jetojmë, vetura nuk konsiderohet më luks por është nevojë. Ky lajm mund të konsiderohet i mirë sepse qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të blejnë vetura që ua përballon xhepi i tyre”, është shprehur ndër të tjera Lushtaku.

Komisioni për Zhvillim Ekonomik i Kuvendit të Kosovës ka vendosur po ashtu që bashkë me bartjen e automjetit kur shitet të bartet tek pronari i ri edhe regjistrimi i mbetur.

Në Komisioni po ashtu është votuar edhe liberalizimi i tregut për kontrollet teknike.

Deputeti Lushtaku tha se është detyrë e secilit deputet të Kuvendit të Kosovës në një formë a një tjetër të marrë iniciativa të atilla që përmirësojnë drejtpërsëdrejti jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës.