Qeveria formon grupin punues për themelimin e Fondit për Investim dhe Punësim

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt dhe ka miratuar politika dhe vendime të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.
Mbledhja është hapur nga kryeministri Isa Mustafa me propozimin e rendit të ditës dhe miratimin e procesverbaleve nga dy mbledhjet e kaluara.
Në vazhdim të mbledhjes, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e Grupit Punues për Hartimin e Koncept Dokumentit për Themelimin e Fondit për Investim dhe Punësim (Fondi Zhvillimor) në këtë përbërje:

1.         Këshilltar politik i kryeministrit, kryesues
2.         Një përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit/Sekretariati Koordinues i Qeverisë,
3.         Një përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit/Zyra Ligjore,
4.         Një përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit/Zyra për Planifikim Strategjik,
5.         Një përfaqësues nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë,
6.         Një përfaqësues nga Ministria e Financave,
7.         Një përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural,
8.         Një përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik,
9.         Një përfaqësues nga Ministria e Administratës Publike,
10.       Një përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Loading...

Grupi Punues mund të ftojë edhe përfaqësues nga institucione tjera të Republikës së Kosovës dhe nga sektori i biznesit të cilët mund të kontribuojnë në këtë çështje.
Në mbledhjen e sotme është shqyrtuar dhe miratuar rekomandimi i Komisionit ekzekutiv për shqyrtimin e mundësive për faljen e borxheve të personave fizik dhe juridik, ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike në Republikën e Kosovës. Sipas rekomandimit falja e borxheve ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike në Republikën e Kosovës, deri me 31 dhjetor 2008, duhet të bëhet me ligj. Hartimi i projektligjit për faljen e borxheve të përfshihet në Programin Legjislativ për vitin 2015 dhe brenda tre muajsh të paraqitet për shqyrtim dhe miratim në Qeveri. Falja e borxheve në këtë periudhë deri më 31 dhjetor 2008 të jetë gjithëpërfshirëse.
Komisioni rekomandon që falja e borxheve për periudhën deri më 31 dhjetor 2008 të kushtëzohet me pagesën e plotë ose hyrjen në marrëveshje të personave fizik apo juridik me organet kompetente për pagesën e borxheve nga data 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014 dhe mundësia për të përfituar nga kjo falje të vlejë një vit nga data e hyrjes në fuqi e ligjit.
Në mbledhje është miratuar edhe propozim-vendimi për dhënien e pajtimit për përjashtim nga fushëveprimi i Ligjit Nr.04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për themelimin e Komitetit Drejtues Ndërinstitucional për mbikëqyrjen dhe koordinimin e zbatimit të Planit të Veprimit për zbatimin e Strategjisë për Integrimin e Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptas, 2009 -2015 në këtë përbërje:

1.         Zëvendëskryeministri                                                         Kryesues;
2.         Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë                                       Zëvendës kryesues;
3.         Ministri i Integrimit Evropian                                                                        anëtar;
4.         Ministri për Kthim dhe Komunitete                                                        anëtar;
5.         Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë                                 anëtar;
6.         Ministri i Shëndetësisë                                                                                         anëtar;
7.         Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale                                                  anëtar;
8.         Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal                                           anëtar;
9.         Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor                                    anëtar;
10.       Drejtori i Zyrës për Çështje të Komuniteteve/ZKM                      anëtar;
11.       Përfaqësues, Organizata joqeveritare Iniciativa 6                           anëtar;
12.       Përfaqësues, Organizata joqeveritare Fahri Vraniqi                     anëtar;
13.       Përfaqësues, Qendra e Komitetit Ashkali                                               anëtar;
14.       Përfaqësues, Këshilli Konsultativ për Komunitete                        anëtar;
15.       Përfaqësues, Avokati i Popullit                                                                        anëtar;

Komiteti Drejtues Ndërinstitucional do të kryej detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara me Planin e Veprimit për zbatimin e Strategjisë për Integrimin e Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptas, 2009 -2015, të miratuar nga Qeveria e Kosovës.

Qeveria ka miratuar edhe Koncept Dokumentin për Agjencinë e Administrimit të Pasurisë së Sekuestruar apo të Konfiskuar. Koncept Dokumenti rekomandon plotësimin dhe ndryshimin e ligjit që rregullon mandatin e Agjencisë në mënyrë që administrimi i pasurive të bëhet në mënyrë sa më të leverdishme dhe përfituese për shtetin.

Në parim është miratuar nisma për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunimin e ndërsjellë në fushën e sigurisë.

Edhe nisma për nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për kushtet e udhëtimit të shtetasve të dyja vendeve është miratuar në parim nga kabineti qeveritar. Marrëveshja rregullon lëvizjen e shtetasve të të dyja vendeve në territorin e palës tjetër pa viza dhe me një dokument të vlefshëm udhëtimi ose kartë të vlefshme biometrike të identitetit dhe do të avancojë bashkëpunimin në mes të dyja vendeve dhe lëvizjen e lirë të njerëzve.

Gjithashtu Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për njohjen reciproke të patentë shoferëve ka marr miratimin në parim në mbledhjen e sotme të Qeverisë. Të dyja vendet do të njohin patentë shoferët e lëshuar nga autoritetet kompetente dhe në pajtim me legjislacionin e tyre kombëtar.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka njoftuar kabinetin qeveritar për vizitën në Gjermani dhe për takimet e zhvilluara atje. Ai e ka vlerësuar lartë përkushtimin dhe mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën në të gjitha proceset zhvillimore. Në takimet e zhvilluara me homologun dhe zyrtarët tjerë të lartë të shtetit gjerman, është theksuar angazhimi që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në të ardhmen.