Punëtori humb dorën dhe bie në komë pas lëndimit në vendin e punës

Për rreth 5 vjet, Sheremet Fetahaj, nga fshati Raushiq i komunës së Deҫanit, ka punuar në një firmë betoni afër qytetit të Pejës. Por, ditën e hënë, ai pati një aksident derisa po e kryente punën e tij. Punonte si shofer kamioni, por në momentin tragjik ai kishte qenë duke pastruar njërën prej pajisjeve të kompanisë. 42-vjeҫari tash është në gjendje kome pas lëndimit në vendin e tij të punës, ku edhe ka humbur dorën e djathtë. Gazeta Express ka qëndruar të martën në familjen Fetahaj.

Sheremeti punonte si vozitës i kamionëve në një kompani të betonit, për të siguruar jetesën e gruas dhe dy fëmijëve të tyre. Por, që nga e hëna ai mbeti i shtrirë në spital, pasi gjatë pastrimit të një prej pajisjeve të betonit, ai aksidentalisht humbi dorën.

Loading...

Familjarët thonë se gjendja e tij nuk është e mirë, ai është në gjendje kome dhe se ende nuk e dinë nëse amputimi i dorës ka pasur sukses.

“Mjekët po thonë se gjendja e tij është stabile, por në komë është ende. Kanë intervenu me ja ngjitë dorën por nuk e di ҫka bëhet, nuk e di sa ka pasë sukses“, ka thënë për Express Miftar Fetahaj, xhaxhai i Sheremetit i cili po qëndron me të në QKUK.

Ndërsa të shqetësuar për gjendjen e Sheremetit janë edhe familjarët në Raushiq, të cilët kanë thënë se shpresojnë që gjendja e tij do të përmirësohet më shpejt.

“Është pa vetëdije nuk është kthjellur ende. Nuk po na japin shumë detaje mos me na shqetësu, por po shpresojmë që gjendja e tij të përmirësohet më shpejt”, ka thënë djali i xhaxhait të tij.

Ndërkaq, Express ka provuar të kontaktojë edhe me kompaninë në të cilën ka punuar Sheremeti, e ndërkohë vendi ku ai është lënduar, gjatë pasdites së sotme nuk ka qenë duke i zhvilluar punimet. Express ka qëndruar në vendin e ngjarjes, mirëpo aty asnjëri nga zyrtarët e kompanisë nuk kanë qenë të pranishëm.

Ndërkohë që në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve figuron emri i një personi si pronar i kompanisë, në të cilën 42-vjeçari ka humbur gjymtyrën të hënën, mirëpo telefoni i tij nuk ka qenë i qasshëm.

Gazeta ka thirrur një zyrtar tjetër të kompanisë, mirëpo i njëjti ka thënë se nuk është pronar i kompanisë andaj nuk dëshiron të flasë. /GazetaExpress