Pse po i hedhin patatet në mbeturina bujqit e Vushtrrisë? (Foto)

Mbjellin me qindra hektar tokë me patate.

Loading...

Por çdo vit e më shumë bujqit e fshatarëve të Vushtrrisë po mbesin të zhgënjyer. Me punën e tyre ata nuk po mund t’i mbulojnë as shpenzimet që po bëjnë.

Dikush nga ta ka ‘fatin’ t’i shes me çmimin prej 3 cent për kilogram por një pjesë e madhe e fermerëve po detyrohen ti hedhin patatet në mbeturina, shkruan GazetaFokus.

Në fshatin Suhadoll të kësaj komune fermerët në pamundësi për ti shitur, me mijëra kilogram patate i kanë hedhur në një pjesë të fshatit.

Shukri Xhaferi, kultivues i patateve ka thënë për GazetënFokus se nga tre hektar tokë të mbjellë me patate nuk ka pas mundësi ta shes asnjë kilogram.

Ai ka shtuar gjithashtu se në pamundësi të shitjes së bashku me shumicën e kultivueseve të fshatit i kanë hedhur ato në mbeturina.

Për të, dhe një pjesë të madhe të banorëve të kësaj anetë ardhurat nga kultivimi i patateve janë te ardhurat e vetme financiare.

Ai kërkoj nga kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri t’u bëj një zgjedhje për këtë problem, në të kundërtën paralajmërojnë organizimin e protestave.

GazetaFokus ka kontaktuar edhe me kryetarin e Vushtrrisë, i cili ka thënë se përmes subvencioneve po mundohen ti lehtësojnë barrën kultivuesve të patates.

E disa nga masat që tashme kanë filluar aplikimin janë kredia për agrobiznese dhe pagesa e ujitjes për sistemin e Iber-Lepencit.

“Këtë vit do të kemi disa masa. E para është kredia për agrobiznese, përmes së cilës ne po synojmë që ti ndihmojmë bizneset dhe tu mundësohet të marrin kredi nga banka për të rregulluar depot ku do ti ruajnë patate në kushte më të mira. Nga ky vit do të fillojmë me pagesën e ujitjes për sistemin e Iber-Lepencit, me rishikimin e buxhetit ne i kemi gjetur fondet dhe nëse ka rishikim të buxhetit, komuna do ti paguaj 50% të ujitjes ndërsa nga viti i ardhshëm do të paguan  100%”, ka thënë Tahiri për Fokus.

Ai ka thënë gjithashtu se për tu ardhur në ndihmë kultivueseve të patates dhe kultivueseve të tjerë vendor do të ndërtojnë edhe një treg të veçantë për ta.

“Po ashtu jemi duke punuar për të caktuar lokacionin për tregun për prodhuesit vendos që do të jetë një ndihmesë shtesë për ti ndihmuar këta bujq për të gjetur treg për patate”, ka thënë Tahiri për Infokusin.

I pari i Vushtrrisë bëri me dije për Fokus se garantimi i çmimit është zgjidhja më e mirë që mund tu bëhet fermerëve kosovarë.

“Problemin e kemi me çmimet referente që po i vendos Shqipëria për patate dhe po e  bllokon tregun për  fermerët kosovarë që po kanë vështirësi me gjet tregun përtej Kosovës, janë një sërë masash që do ti merr niveli lokal dhe qendror për ti mbrojtur këtë fermer dhe bujq për tu garantuar çmimin”, ka shtuar ai.

Tahiri madje u bëri thirrje ministrisë së Bujqësisë dhe Qeverisë që garantimi i çmimit minimal të produktit të bëhet sa më shpejtë.

“Unë i bëj thirrje ministrisë së Bujqësisë edhe Qeverisë që te vendos një çmim me të cilin do tu garantoj fermerëve për çmimin minimal te produktit të tyre ndërkohë që ata mund ta sheshin në treg me çmimin e tregut por në raste sikur jo kur do të tepronte do të ishte Qeveria ajo që do të paguante çmimin bazë dhe këto patet do të mund të përdoren pastaj për ushqim në shkolla ose në burgje”, ka pohuar ai.

Fshatrat e komunë së Vushtrrisë të njohura në Kosovë si kultivuese të patates ka disa vite radhazi që po përballen  me çmimin e ulët të shitjes së patateve.

Kultivuesit e rreth  1.468 hektarë tokë, kryesisht në Pestovë, por edhe në fshatrat tjera, nga të cilët janë nxjerrë rreth 50 mijë tonë patate thonë se këtë vit çmimi ka rënë në 3 cent për kilogram.(Agnesa Çitaku)/GazetaFokus.