Prokuroria tregon e kujt ishte arma pa leje dhe droga që u kap në veturën që e drejtonte djali i Shpend Maxhunit

Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka njoftuar se djali i shefit të AKI-së Shpend Maxhuni, ka qenë duke vozitur veturën e gjyshit të tij kur është kontrolluar nga polica, porse droga dhe arma pa leje që u kapën nuk kanë qenë të tij.

Loading...

Zëvendës kryeprokuori i Prishtinës, Ibrahim Berisha ka thënë për Insajderin se ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të marrë më shumë informacione rreth rastit ku në veturën e babit të shefit të AKI-së, Enver Maxhunit, të cilën ka qenë duke e drejtuar djali i Shpend Maxhunit, Shpetimi, policia gjeti drogë dhe armë pa leje.

Në bazë të këtyre informacioneve, Berisha thotë se veturën e ka drejtuar djali i Maxhunit porse arma dhe droga nuk kanë qenë të tij. Sipas tij, arma ka qenë e kushëririt të tij, Rinor Maxhunit ndërsa droga në cigare e një personit të tretë.

“Në veturë kanë qenë tre persona, atë e ka drejtuar djali i Shpend Maxhunit, ndërsa  xhaketa me revole  ka qenë e Rinorit. Kushërir i tij Rinori ka deklaruar se xhaketa dhe arma pa leje ishte e tij sipas informacioneve të fundit të cilat i mora. Droga e llojit marihuanë që është gjetur në cigare është gjetur të një person tjetër i cili ka qenë jashtë automjetit, kur është kontrollu ju ka gjet atij”, tha Berisha për Insajderin.

Berisha tha se ende nuk e ka parë kallëzimin penal pasi që ai është dorëzuar në prokurori të premten pasdite, por se informacionet shtesë i ka marrë nga policia, për më tepër prokuroia ka nisur hetimet.