Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka gati aktakuzën për rastin e abuzimit seksual të vajzës nga Drenasi. Kjo prokurori pritet që të hënën ta dorëzojë aktakuzën në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Ndërkohë për rastin, tashmë janë intervistuar edhe dy persona të rinj si dëshmitarë. Ata janë kolegë të profesorit që dyshohet se seksualisht ka abuzuar me viktimën 16-vjeçare nga Drenasi.

Gentiana HASANI

Dy persona të rinj janë intervistuar lidhur me rastin e abuzimit seksual të vajzës nga Drenasi. Këta të dy janë mësimdhënës si dhe besohet të jenë kolegë të profesorit SH. XH., i cili dyshohet se seksualisht ka abuzuar me vajzën nga Drenasi në kohën kur ajo ishte 16-vjecare.

Të dy këta dëshmitarë të rijnë pritet që të jenë pjesë e aktakuzës, e cila shumë shpejt do të dorëzohet në Gjykatë.

Lajmin për dorëzimin e aktakuzës e ka konfirmuar për Express, kryeprokurori në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Ymer Beka.

“Sot jam konsultuar me prokurorin që e mbanë këtë lëndë. Mund të ju them se aktakuza rreth këtij rasti thuajse është gati. Kanë mbetur vetëm dhe disa detaje për t’u shikuar. Besoj që ka fundi i javës ose gjatë së hënës aktakuza për këtë çështje do të dorëzohet”, ka deklaruar Beka për Express.

Për këtë rast si të involvuar në abuzimin seksual ndaj vajzës nga Drenasi, janë 3 persona si dhe një gjinekolog, i cili dyshohet se jashtëligjshëm e ka kryer abortin e vajzës.

Sipas Prokurorisë, vajza nga Drenasi ishte dhunuar seksualisht nga një profesor i shkollës së mesme Xh. Gashi dhe nga polici, V. Veseli. Pas hetimeve të tjera u dyshua se ajo u dhunua edhe nga avokati i cili e kishte bërë publik rastin e saj, G. Halilaj.

18-vjeçarja kishte abortuar në një klinikë private në Prishtinë pasi ishte detyruar nga polici. Por, ende nuk është konfirmuar saktë se i kujt ishte fryti.

Edhe disa policë të tjerë të Stacionit në Drenas janë përfshirë në hetime, por ende asnjëri prej tyre nuk është suspenduar dhe nuk ka pasur ndonjë masë disiplinore.

Por pas disa muajve qëndrim në burg, avokati Halilaj është liruar nga ana e Prokurorisë së shtetit. Masa e burgut i është zëvendësuar atij me arrest shtëpiak.

Kujtojmë se më 5 shkurt në media u raportua se e mitura nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht nga profesori SH. Gashi dhe nga hetuesi policor V. Veseli, ky i fundit dyshohet se e kishte lënë shtatzënë të miturën e pastaj e kishte detyruar të abortojë. Për rastin e vajzës së mitur nga Drenasi aktualisht profesori Sh.Xh. dhe zyrtari policor V.V, që dyshohen se kanë keqtrajtuar seksualisht janë në paraburgim për një muaj, ndërsa mjeku që ka kryer abortin është në arrest shtëpiak. Kurse avokati Gazmend Halilaj është ai i cili ka bërë publik rastin./GazetaExpress/