Problemet në PDK, kush ka më shumë ndikim, Thaçi apo Veseli? (Video)

Situata e fundit ka shtruar diskutimin nëse brenda PDK–së ndikimin kryesor vazhdon ta ketë ish- kryetari i saj Hashim Thaçi apo kryetari aktual, Kadri Veseli.

Partia Demokratike e Kosovës u themelua pas përfundimit të luftës në Kosovë, më 10 tetor të vitit 1999.

Loading...

Nismëtarët e saj ishin disa udhëheqës të UÇK-së, shumica prej të cilëve në atë kohë ishin edhe udhëheqës të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK).

PDK në skenën politike kosovare doli me kryetar, Hashim Thaçin.

Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 17 nëntorit të vitit 2007, e nxori PDK-në, si partinë më të madhe në vend, duke bërë që për herë të parë ta marr pushtetin e plotë.

PDK edhe në zgjedhjet parlamentare të 2010, u rendit si partia më e votuar në vend me mbi 220 mijë vota ose 32.11 %, rezultat ky i cili i garantoi 34 mandate në Kuvendin e Kosovës.

Kur dukej se gjithçka po shkonte mirë, dy figurat që në atë kohë konsideroheshin si ndër më të rëndësishme në PDK, Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi, të ardhmen e tyre politike filluan ta shohin jashtë PDK-së, qëllim të cilin e zyrtarizuan gjatë vitit 2013.

Një vit më vonë, Krasniqi e Limaj, krijuan një subjekt të ri politik të quajtur, Nisma për Kosovën, e cila tash mban emrin Nisma Socialdemokrate.

Nga kjo kohë, Partia Demokratike e Kosovës, ka pasur jo rrallë probleme në funksionimin e brendshëm të saj.

Kryetari i kësaj partie, për herë të parë u ndërrua përmes konventës së shtatë të jashtëzakonshme zgjedhore, e cila u mbajt më 7 maj 2016. Kandidati i vetëm, Kadri Veseli, u zgjodh kryetar me votat e 740 delegatë të pranishëm në sallë.

Ish-kryetari i PDK-së, Hashim Thaci e kryetari aktual Kadri Veseli, kanë ndarë jo rrallë mendime të ndryshme sa i përket zhvillimeve politike.

Në këtë kontekst është edhe qëndrimi i tyre rreth shkëmbimit të territoreve me Serbinë.

Me kërkesën për dorëheqje nga ministri i Drejtësisë, Ablerad Tahiri i cili ishte bashkë me presidentin Thaçi te Liqeni i Ujmanit të shtunën, janë shtuar zërat se në PDK po ushtron ende ndikim të fuqishëm ish- kryetari i këtij subjekti Hashim Thaçi.

Këtë ndikimin natyrisht e ka kundërshtuar kryetari aktual, Kadri Veseli.

Por, mbetet të shihet nëse problemet në PDK do të thellohen edhe më shumë. /RTV Dukagjini/Telegrafi/