Presidenti Thaçi dekoron ish-kryeministrin francez Alain Juppé me medaljen “Urdhri i Lirisë”

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, e ka takuar edhe ish-kryeministrin francez Alain Juppé, të cilin e ka dekoruar me medaljen “Urdhri i Lirisë”.

Loading...

Alain Juppé në vitet 1993-1995 ishte Ministër i Punëve të Jashtme të Francës, në vitet 1995-1997 ishte Kryeministër i Francës dhe nga viti 2011 kishte shërbyer sërish si Ministër i Punëve të Jashtme dhe i Çështjeve Evropiane.​

“Ky urdhër u jepet në vitin jubilar të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Franca është ndër shtetet e para që paralajmëroi dhe njohu pavarësinë e Kosovës. Prandaj, Kosova është përjetë mirënjohëse ndaj shtetit dhe popullit mik francez”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ish-kryeministrin francez Alain Juppé, presidenti Thaçi e vlerësoi si një burrështetas me një karrierë të pasur në shërbimin publik, me ndikim jo vetëm për francezët, por edhe për popujt e tjerë në botë.

“Qëndrimet tuaja reflektojnë parimet tuaja, mes të cilave vend kryesor zë ai i lirisë. Për ju ky parim është pa alternativë dhe i panegociueshëm. Këtë e keni dëshmuar edhe kur keni marrë pozicion për ndaljen e gjenocidit në Ruanda për të shpëtuar jetë njerëzish. Rreshtim pro të drejtave të njeriut keni bërë edhe në kohën e paqartësive të mëdha rreth Kosovës, në fillim të viteve ’90, kur në cilësinë e Ministrit të Jashtëm kuptuat esencën e kërkesave të drejta për liri të qytetarëve tanë. Së bashku me ministrin gjerman Klaus Kinkel, ju ngritët çështjen e Kosovës në rang ndërkombëtar, që në fillim të luftës në Bosnjë. Madje, tash së voni ju nuk pranuat teorinë e krahasimit të Krimesë me rastin e Kosovës. Ju, si politikan i fjalës dhe njeri i aksionit, keni forcuar edhe më shumë konceptin e lirisë si një bosht i së djathtës evropiane. Kjo është e kuptueshme, sepse atdheu juaj, Franca, është promovuese e konceptit për liri dhe barazi universale”, u shpreh presidenti Thaçi për ish-kryeministrin Juppé, përcjell Telegrafi.

Kreu i shtetit ka thënë se rrugëtimi i ish-kryeministrit Juppé dhe ai i Francës, në tre dekadat e fundit, pikëtakohen aq shpesh sa nuk ka dimension që nuk është prekur me vendimmarrjen e tij, qoftë si deputet apo këshilltar kryeministri, ministër i deleguar i buxhetit, ministër i mjedisit, ministër i mbrojtjes, ministër i jashtëm, drejtues i republikanëve, kryeministër dhe kandidat presidencial.

Në anën tjetër, ish-kryeministri francez Alain Juppé, u shpreh i nderuar me medaljen “Urdhri i Lirisë”, të ndarë nga presidenti Thaçi.

Ai theksoi se e mbështetë qeverinë aktuale të Francës dhe politikën e saj për forcimin e Bashkimit Evropian dhe anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian duhet të bëhet me kujdes dhe të jetë i qëndrueshëm”, u shpreh ish-kryeministri francez Alain Juppé.

Presidenti Thaçi shtoi se aleancat japin zgjidhje, por janë edhe zgjedhje dhe në emër të popullit të Kosovës e ka falënderuar ish-kryeministrin francez Alain Juppé, që kishte zgjedhur t’i japë mbështetje Kosovës, në një rreshtim të qartë dhe parimor pro-lirisë. /Telegrafi/