Politikat e Trumpit po dëmtojnë investitorët kinezë në SHBA

 

Politikat e reja të administratës së Trumpit, të cilat kanë për qëllim ta vënë nën kontroll qasjen e Kinës në inovacionin amerikan, i kanë bllokuar investimet kineze në firmat e reja teknologjike të SHBA-së. Investitorët dhe themeluesit e kompanive po i braktisin marrëveshjet për shkak të mbikëqyrjes së hollësishme nga Uashingtoni.

Investimet e ndërmarrësisë kineze në bizneset e reja në SHBA arritën kulmin vitin e kaluar me një shifër prej 3 miliardë dollarësh. Investitorët dhe kompanitë teknologjike janë ngutur në realizimin e marrëveshjeve para se të hyjnë në fuqi rregullat e reja, të cilat ishin miratuar që në muajin gusht të vitit të kaluar.

Sipas legjislacionit të nënshkruar nga Trumpi, qeveria ka të drejtë t’i bllokojë investimet e huaja në kompanitë amerikane, pavarësisht vendit të origjinës së investimit. Presidenti është treguar vazhdimisht i vendosur që ta largojë Kinën nga teknologjitë strategjike të Shteteve të Bashkuara.

Avokatët thonë se janë të detyruar t’i rishkruajnë rregullat e marrëveshjeve në mënyrë që ta marrin vulën e miratimit nga Uashingtoni. Në anën tjetër, investitorët kinezë kanë hequr dorë nga transaksionet dhe i kanë ndërprerë takimet me bizneset e reja amerikane, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.