Policia me plan operativ për “Natën e zjarreve”

Me rastin e manifestimit “EPOPEJA E UÇK-së”, me datën 7 mars 2015, do të mbahet manifestimi tradicional “Nata e zjarreve” në kompleksin memorial në lagjen e Jasharajve në Prekaz, si dhe koncert në sheshin ‘Adem Jashari’ në Skenderaj, drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë ka përgatitur planin operativ, njëherësh ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura përgatitore për të ofruar një siguri dhe rend publik për të gjithë pjesëmarrësit në këtë eveniment.
Edhe kësaj radhe, në zonën e Skenderajt Policia do të aplikojë një sistem komunikacioni njëkahor, për të mundësuar qarkullim efikas të komunikacionit, brenda dhe përreth qytetit të Skenderajt dhe vendit ku do të kremtohet “Nata e zjarreve” në Prekaz.
Policia ka paraparë që me qëllim të evitimit të pengesave në komunikacion, rrjedha e komunikacionit me sistemin njëkahor do të aplikohet me fillim nga ora 16:00 deri në përfundim të aktiviteteve festive.
Rrjedha e qarkullimit të komunikacionit rrugor do të kontrollohet dhe drejtohet me udhëzimet e dhëna nga zyrtarët policorë, për të përshtatur një sistem funksional të qarkullimit. Me këtë rast, drejtuesit e automjeteve do të marrin të gjitha instruksionet e duhura nga zyrtarët e policisë në terren.
Parkimi i automjeteve do të lejohet në anën e djathtë përgjatë rrugëve që janë të përfshira në rrjedhën njëkahëshe të komunikacionit.
Për vendparkingjet e siguruara paraprakisht, qytetarët do të marrin instruksionet nga zyrtarët policorë.
Policia e Kosovës kërkon bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj, për të mundësuar që secili të vijë dhe të largohet nga kremtimi në mënyrë të sigurt.

 

Loading...