Policia i bie në gjurmë edhe një kushëriri të Enver Sekiraqes, dyshohet për grabitje

 

Policia e Kosovës dje ka arrestuar një person në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë. I njejti dyshohet për grabitje e armëmbajtje pa leje që kohë më parë i ka ikur policisë. Policët hetues i kanë rënë në gjurmë atij, Hazbi Sekiraqa u gjet i fshehur në frigorifer. Pas arrestimit është dërguar në mbajtje.

Hazbi Sekiraqa, fillimisht ka tentuar ti ikte policisë, gjatë ikjes ka shkaktuar aksident trafiku. Më pas ka hyrë në një lokal për t’u fshehur në frigorifer.

Pas arrestimit atij i është gjetur një elektroshok, ai dyshohet për grabitje dhe armëmbajtje pa leje.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Rr. Gazmend Zajmi, Prishtinë 09.01.2019-13:26. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar pasi që i njëjti duke mos i respektuar urdhërat e zyrtarëve policorë në ikje ka shkaktuar aksident trafiku. Gjatë kontrollit i është gjetur një elektroshok, ndërsa gjatë verifikimit i njëjti është i dyshuar për disa raste grabitje. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, tha policia.

Gazeta Express mëson se Hazbi Sekiraqa është kushëriri i Enver Sekiraqes. Ndryshe, ai ka pasur edhe në të kaluarën probleme me ligjin.