Polici nga Beogradi arrestohet në Kosovë për trafikim të drogës

Një veturë me targa të Beogradit ishte përdorur nga një polic serb për të transportuar drogë prej Shqipërisë për në Beograd.

Loading...

Polici serb ishte përfshirë në një rrjet kriminal i cili merrej me trafikim me narkotikë, raporton “Drejtësia në Kosovë”.

Një hetim nisi nga ana e Prokurorisë Themelore në Pejë pas një informacioni në lidhje me një grup kriminal i cili dyshohet se transportonte drogë.

Pjesë e këtij grupi kriminal dyshohej se ishte një polic serb pasi që ishte identifikuar vetë si i tillë.

Pamjet  tregojnë se 146 kilogram lëndë narkotike të llojit marihuanë, pajisje të cilat u përdorën për të modifikuar rimorkion e mbushur me drogë, telefona, mjete identifikimi, kartela telefonash, e gjësende të tjera u konfiskuan nga ana e policisë pas një ndalimi të një veture e cila dyshohej se po bartte drogë.

I gjithë rrjeti po funksiononte përmes rrugëve të Kosovës.

Provat të cilat u siguruan nga Prokuroria Themelore në Pejë dhe policia, bënë që prokuroria të kërkojë masën e paraburgimit për tre të dyshuarit serbë të cilët u arrestuan në një pikë kontrolli afër qytetit të Istogut.

Prokuroroja Sahide Gashi, me anë të provave kishte arritur ta bindë gjykatën që të dyshuarit e arrestuar të qëndrojnë në masën e paraburgimit, ndërsa hetimet për të dyshuarit e tjerë nuk u ndalën.