Platforma të shumta online ofrojnë falas prodhimet filmike të fundit, duke bërë që vizitori online nga Kosova të ketë qasje tek ta, në të njëjtën kohë me premierat e tyre botërore.
Ndër to, vizitueshmërinë më të lartë ende mbanë portali “Mistreci” i cili ka arritur rreth 225 mijë pëlqime, duke ofruar filma zhanresh të ndryshme, apo “Filma24-al” që deri tashti ka mbledhur rreth 45 mijë pëlqime.
 Mirëpo, për ndryshim prej portaleve të tilla të shumëta të cilat pothuajse janë kopje e njëra -tjetrës, portali “Pabiletë” ofron filma artistik e dokumentar të shoqëruar së paku me nga një shqyrtim kritik.
Tek impresumi i këtij portali theksohet se “Pabiletë” është bashkim shoqëror e vullnetar për të shfaqur para publikut filmat që në një situatë tjetër do të censuroheshin.
“Kontribuesit e faqes kanë përkthyer filmat që nuk i gjeni në gjuhën shqipe. Secili film është i shoqëruar nga së paku një shqyrtim kritik.
Faqja ”Pabiletë” është një hapësirë e re që synon të zgjerojë fushën e filmit duke tejkaluar dy limitet kryesore të kinemasë së sotme: përdorimin instrumental-ideologjik të filmit, dhe përvetësimin privat të intelektit njerëzor në emër të së drejtës së autorit; Për ne, filmi s’duhet t’i shërbejë fetishizimit të fuqisë së inidividit që shohim tek superheroi holliwood-ian; turbo-dramaticiteti i zhvillimit të ngjarjeve që veç reflektimin s’lejon, përkundër zbrazëtisë që ia dikton rutina njeriut të kërrusur të kohës sonë, teksa mbyll jetën shpirtërore në një qark vicioz, zëvendëson edukimin e kulturën si krijim njerëzor me ngjallje emocionesh për bëmat periferike të heronjve që prodhojnë përhumbjen e nënshtrimin e spektatorit.
Duke ripërkufizuar vetë funksionin kryesor të riprodhimit ideologjik që ka filmi sot, krahas përmbushjes shpirtërore që I jep arti, i japim filmit edhe qëllimin njohës.
“Pa biletë” është hapësirë e lirë. Për ne qasja në film dhe në të gjitha burimet e veprave intelektuale nuk mund të jetë e kushtëzuar nga gjendja materiale.”, thuhet aty.
 Filmat në këtë faqe janë të ndarë në pesë zhanre, duke nisur nga ai biografik, dokumentar, dramë, aksion dhe komedi.