Përvjetori i 17-të i Marsit të Adem Legjendarit

Jakup Krasniqi, mesazhin e tij drejtuar Familjes Jashari e filloj me fjalën e ish-Diplomatit Francez Bernard Kushner “Po të kishte çmim Nobel për lirinë, ai çmim do t’i takonte Adem Jasharit!”, këtë mesazh ai e publikoi qysh në orët e para të mengjesit të sotëm, në profilin e tij zyrtar në rrjetinë social Facebook.
Reagimi i tij i Plotë :
“Po të kishte çmim Nobel për lirinë, ai çmim do t’i takonte Adem Jasharit!”
Bernard Kushner
Jemi në 17-vjetorin e marsit të Adem Legjendarit, në marsin e Lavdisë Kombëtare, i cili gjithnjë e më bindshëm po i bën bashkë të gjithë ata shqiptarë që duan e dinë t’i duan vlerat më kulmore, më universale, së këndejmi dhe më të domosdoshme të njeriut siç janë Liria, Pavarësia dhe Demokracia. Këto vlera të jetësuara në Kosovë pas qershorit të vitit 1999 kanë gur themeli të fortë qëndresën atdhetare të shekujve, e cila kulmoi me UÇK-në e Adem Legjendarit.
Sa herë që vjen Marsi i shqiptarëve, ai vjen për ta kujtuar e nderuar me pietet, me respekt e dashuri, njeriun i cili me përkushtimin, guximin dhe sakrificën e tij, të familjes së tij që bëri kthesën më kulmore të kohës sonë. Flijimi i Jasharëve bëri mobilizimin më të madh të shqiptarëve të Kosovës për çlirim kombëtar, mbase edhe të shqiptarëve në përgjithësi. Dhe jo vetëm bëri motivimin dhe mobilizimin më të madh, por ai motivim dhe ai mobilizim në shkallë kombëtare, kudo që u ndodhën shqiptarët (në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Kosovën Lindore, në Mal të Zi, në Çamëri, gjithandej në Diasporë deri në Australinë e largët, Zelandë të Re, të mos përmendim Europë e SHBA) do të kurorëzojë aspiratën për dhënien fund të Kosovës së robëruar.
Le të shërbejë përvjetori i 17-të i Epopesë së UÇK-së, i Epopesë së Adem Jasharit, Legjendarit madhështor që më ndjenjën më të madhe e më të thellë njerëzore ta kujtojmë, ta nderojmë e ta respektojmë siç denjon lufta dhe sakrifica më e pazakontë e më e lavdishme, jo vetëm në historinë tonë më të re. Flijimi i Jasharëve Legjendarë është e matshëm me çlirimin e Kosovës. Ka një të veçantë, nga çdo flijim tjetër në nivel botëror. Luftën e dalëzotësve të kombit me makinerinë vrastare serbe, e cila nuk njohu e as respektoi asnjë konventë ndërkombëtare të luftës a të paqes, që nuk respektoi asnjë vlerë njerëzore e kombëtare të shqiptarëve më se një shekull të ndarë padrejtësisht nga trungu i tyre.
Ky përvjetor po ndodh në një kohë dhe në një krizë të thellë morale e kulturore, ekonomike e politike, por as kjo krizë e dhimbshme kombëtare nuk na pengon as do të na pengojë për ta nderuar e kujtuar tragjedinë e lavdinë e papërsëritshme të kombit tonë, të kombit të cilit shumë herë gjatë shekullit XX iu përsëritën tragjeditë, por nuk i mungoi kurrë as rezistenca, as lavditë. Por, lavdi, siç ishte edhe kjo e fundit e kombit tonë, kurdo e kudo kanë qenë tepër të kushtueshme. Të kombit që nuk hezitoi sa herë që kërkohej nga ai të paguajë çmimin e shtrenjtë për liri. Të popullit që në shumë tryeza europiane ia vulosën robërinë, duke arsyetuar dhe përligjur kërkesat shoviniste e kolonialiste të shteteve të Ballkanit. Regjime këto që kurrë nuk i ndryshuan politikat e tyre të dhunës e të terrorit ndaj kombit shqiptar. Ato politika, për fatin tonë të keq, u përsëriten shumë herë gjatë shekullit XX, duke kulmuar me çmimin e më të madh të lirisë siç qe ajo e para 17 viteve.
Së këndejmi, edhe në 17 vjetorin e sivjetshëm, si në çdo përvjetor tjetër, të gjitha rrugët e Kosovës e të Shqipërisë, të Maqedonisë Perëndimore e të Kosovës Lindore, të Malësisë së paharruar të Malit të Zi deri në Tivarin e përgjakur për lirinë e sotme si dhe Diaspora krenare, kanë një drejtim: Prekazin Legjendar, Prekazin e Adem Jasharit! Qëndresa e Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit dhe e gjithë Jasharëve Legjendarë, janë më meritoret për mundjen e frikës patologjike që kishin qarqe të caktuara shqiptarësh, më meritoret për moralin dhe guximin e rilindur të çdo shqiptari për thyerjen politike dhe ushtarake të armikut shekullor, për realitetin e ri të krijuar me aq përgjegjësi e sakrificë.
Epopeja e Prekazit të Adem Jasharit bëri Kthesën e Madhe, e cila kthesë është unike edhe në historinë moderne të Evropës. Jam i vetëdijshëm se koha jonë, e këtyreditshme, e cila po përballet me vështirësi jo të pakta të natyrave nga më të ndryshmet, e ka të vështirë ta vlerësojë në të gjitha dimensionet e përmasat e duhura këtë Ditë të Madhe, pas një krize të thellë morale, e cila ka përfshirë shtresa të ndryshme shoqërore.
Europa edhe gjatë shekullit XX ka parë e përjetuar rëndë metoda e mjete të ndryshme të terrorit të egër, të quajtur ndër të tjera nazifashizëm, holokaust, diktatura e postdiktatura, por ajo nuk do të këtë parë, e as do të jetë përballur me përmasat e barbarisë me të cilat u përballën shqiptarët e Kosovës në kapërcimin e shekullit XX. Asnjë shtet i Evropës, edhe kur kombe e shtete të saj gjindeshin në kulmin e luftërave të ashpra për territore, nuk patën organizuar një makineri të tillë ushtarake me të tilla përmasa vrastare për të luftuar një njeri, një familje apo një lagje, ashtu siç bëri regjimi i Beogradit me Adem Jasharin dhe Jasharët e Prekazit.
Adem Jashari edhe në 17 vjetorin e Marsi të Madh do të qëndrojë në kulmin e piramidës së akademisë tradicionale të kapedanëve të Shqiptarisë. Ai është Skënderbeu i bashkëkohësisë sonë, pa të cilin vështirë mund të mendohej dhe të sendërtohej liria dhe pavarësia Republikës së Kosovës. Gabojnë, dhe gabojnë rëndë madje, të gjithë ata që lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, që çelësin dhe meritokracinë çlirimtare e kërkojnë aty ku nuk mund
të qëndrojë me asgjë e për asgjë.
Shtatëmbëdhjetë vjet më parë, pas disfatës që armiku shekullor pësoi në Likoshan në përballje me UÇK-në, ai nuk u mjaftua me hakmarrjen që bëri mbi njerëzit e paarmatosur, por në natën e ftohtë e të errët të 4 dhe 5 marsit 1998 ndërmori aksionin e përmasave të mëdha ushtarake për eliminimin e Komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, Adem Jasharit dhe familjes së gjerë të Jasharëve. Gjatë ditëve të 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Lagjen e Jasharëve të Prekazit është zhvilluar epopeja më e madhe, më e lavdishme dhe më tragjike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në natën e 7 marsit, së bashku me këngën pushojnë edhe rafalet gjithë jehonë lirie të mitralozit të Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit. Armiku kishte qëllim parësor e strategjik nënshtrimin e shqiptarëve me anë të frikës, por në fakt, sulmi vrastar serb në Prekaz, rilindi guximin e shqiptarëve, i motivoi ata, ringjalli përbashkimin drejt fitores përfundimtare. Rënia e komandantit legjendar, sakrifica kolektive e Jasharëve legjendarë e hapën kështu një epokë të re sa tragjike, po aq të lavdishme të historisë tonë më të re. Lufta për liri tashmë kishte hyrë në rrugën pa kthim dhe ajo vazhdoi guximshëm dhe pandalshëm deri në fitore. Në këtë luftë shqiptarët arritën edhe fitore e dytë të madhe: mbështetjen e vendeve prijatare të demokracisë perëndimore. Kështu, shqiptarët për herë të parë bënë aleatë të fuqishëm, siç ishin SHBA-të, BE-ja dhe NATO-ja.
Para 17 vjetëve nisi rrugëtimin mobilizimi dhe masivizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës falë tragjedisë dhe lavdisë së Jasharëve. Rezistenca dhe lufta heroike e tyre, përkundër pabesisë dhe informatorëve që shiten për pak para derisa Komandanti ndodhej në çmallje familjare, duke u flijuar me përmasa tashmë të njohura biblike.
Duke përfunduar, sukseset e arritura në fushën ushtarake e politike, përkrahja ndërkombëtare që fitoi populli ynë në këtë luftë, vlerat e larta humane dhe civilizuese që shpalosi ai para botës, pozicioni që ka apo kemi sot ne shqiptarët sot, bashkëkombasit e Adem Jasharit, e bëjnë atë, Adem Legjendarin, personalitet me vlera të veçanta kombëtare e politike dhe i jep atij dimenzionin e përmasave të Heroit të Përgjithshëm Kombëtar, vlera këto që i atribuohen me të drejtë deri sot vetëm Heroit Legjendar Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.