Përplasen ashpër Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi: Mësoni se çka ndodhi mbrëmë në shtëpinë e Behgjet Pacollit!

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, jo vetëm përmes deklaratave publike janë përplasur ndërmjet vete. Ata janë përplasur edhe në “katër sy” ndërmjet vete. Shkak për këtë përplasje janë bisedimet me Serbinë, gjegjësisht ideja e presidentit për shkëmbimet territoriale ndërmjet dy vendeve.

Loading...

“Gazeta Blic” nga burime të saja ka marrë vesh se mbrëmë në një takim që kanë pasur liderët e vendit, ka pasur një përplasje të ashpër ndërmjet kryeministrit Ramush Haradinaj dhe presidentit Hashim Thaçi.

“Presidenti Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj janë përplasur shumë ashpër ndërmjet vete gjatë mbrëmjes së djeshme tek Rezidenca e Behgjet Pacollit. Tonet e tyre kanë qenë shumë të larta për çështjen e bisedimeve me Serbinë”, thonë këto burime të Gazetës Blic.

Zyrtarisht nga zyra e Presidentit nuk kanë qenë në gjendje për të pohuar por as mohuar përplasjen me Kryeministrin Haradinaj. I kontaktuar nga “Gazeta Blic” Ardian Arifaj, këshilltar i Presidentit Thaçi u shpreh i pa informuar lidhur me takimin e mbrëmshëm të krerëve shtetëror.

Gjatë ditës “Gazeta Blic” ka bërë përpjekje që të kontaktoj edhe me këshilltarin e Haradinajt, Halil Matoshin por ai nuk është përgjigjur në thirrjet e redaksisë.

Ndërkohë, dyshja drejtuese e vendit, vazhdon që të ketë dallime shumë të mëdha në raport me dialogun me Serbinë. Madje, ata e kanë kërcënuar njëri- tjetrin edhe me shkarkim. Derisa Hashim Thaçi në një konferencë për media i kishte kërkuar Haradinajt që të reflektoj, ose në të kundërtën shkarkohet, kryeministri Haradinaj ditë më parë ka thënë se edhe partia që ai udhëheq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të votonte për rrëzimin e Thaçit nga posti i tij, “nëse ai nënshkruan diçka që cenon territorin e Kosovës”.

Kundër idesë së presidentit Thaçi ka dalë edhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli, i cili ka thënë se nuk do të ketë as ndryshim të kufijve e as shkëmbim territoresh, dhe se dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke. “ Nuk do të ketë ndryshim kufijsh ose shkëmbim territoresh. Do të ketë njohje të shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës. Do të ketë sovranitet të plotë. Nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive që e cenon rolin kushtetues të shtetit tonë”, ka deklaruar ai.

Edhe partitë opozitare e kanë kundërshtuar vazhdimisht idenë e Presidentit Thaçi për “korrigjim kufijsh” në Ballkan.

Deputeti i LDK-së, Anton Quni ka theksuar për Gazeta Blic se nëse do të rrezikohet territori i Kosovës, atëherë mund të provokohet luftë.

Deputeti Quni madje, ka paralajmëruar se ai edhe do të jetë u gatshëm për luftë, nëse Hashim Thaçi me idenë e tij, rrezikon integritetin territorial të vendit.

Përderisa shumica e partive po kundërshtojnë fuqishëm idenë e shkëmbimit të territoreve, presidenti Thaçi në perpjekje për realizimin e idesë së tij, ka takuar edhe presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, çka ka ngjallur reagime të shumta./Gazeta Blic/