Përdoruesit e rrjeteve sociale do të paguajnë taksa

Parlamenti në Ugandë pavarësisht protestave të deputetëve të rinj, miratoi ligjin e diskutueshëm i cili parasheh taksa për përdoruesit e rrjeteve sociale, raporton Anadolu Agency (AA).

Loading...

Sipas ligjit, personat që përdorin aplikacionet e rrjeteve sociale si WhatsApp, Twitter dhe Facebook janë detyruar që në ditë të paguajnë 200 shilinga ugandeze (5 cent).

Deputetët e rinj të cilët e kundërshtojnë këtë ligj duke pretenduar se zbatimi i ri është taksim i dyfishtë, theksuan se nga kjo më së shumti do të ndikohen popullata e varfër që nuk mund të fitojë as 1 dollarë në ditë.

Ligji i ri do të fillojë të zbatohet nga 1 korriku, por ende nuk dihet se si do të mblidhen taksat.

Në rend dite temën për herë të parë e kishte sjellë presidenti i vendit, Yoweri Museveni, i cili në një fjalim të mbajtur në mars të vitit të kaluar, duke pretenduar se rrjetet sociale po nxisin thashethemet, kishte deklaruar se për të parandaluar këtë do të vendoset taksim për përdorimin e rrjeteve sociale.

Ai gjithashtu kishte pohuar që mos të mblidhen taksa nga lidhja normale e internetit e cila mund të jetë e dobishme në fushat arsim dhe informim.

Kritikuesit tërheqin vëmendjen në atë se vendimi do të kufizojë të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes, dhe rikujtuan se në zgjedhjet presidenciale të cilat u mbajtën në vitin 2016 në vend ishte ndaluar qasja në rrjetet sociale.

Nga ligji i ri pritet të ndikohen mbi 20 milionë përdorues të celularëve.