Patriotizmi dhe flamuri kombëtar, jo rrallë herë është përdorur si strehë për përfitime materiale.

Ky skenar i ka ndezur edhe këngëtares Leonora Jakupi, e cila ashtu sikurse një numër i të privilegjuarve nga menaxhmenti i Telekomit i drejtuar nga Agron Mustafa, ka vjelë fonde nga Telekomi i Kosovës.

Në prill të vitit 2006, këngëtarja nga Drenica ka marr hiç më pak se 6 mijë euro nga kjo kompani për realizimin e projektit të saj muzikor me titull “pushkë e çifteli” të cilën e këndon bashkë me rep-artistin, Arian Agushi i njohur me emrin artistik, Gold AG, shkruan Sinjali.

Në këtë mënyrë, ajo ka marr një “infuzion” për veprimtarinë e saj muzikore ndryshe nga shumë talentë e këngëtarë të tjerë që nisin punën me forcat e vetanake nga pika zero.

Telekomi i Kosovës, prej vitesh kishte shpenzuar paranë publike pa ndonjë kriter të caktuar. Sa i përket sponsorizimeve, asnjëherë nuk ka pasur ndonjë konkurs publik i cili do të mundësonte një konkurencë të drejtë mes artistësh dhe përfituesish potencialë të fondeve në emër të kategorisë së sponsorizimeve.

Fondet janë ndarë zakonisht duke i shfrytëzuar lidhjet politike e klienteliste. Para janë dhënë madje edhe për sfilata mode, konkurse bukurie e aktivitete të tjera.