Partia Demokratike e Kosovës, po vazhdon mbajtjen e kuvendeve zgjedhore nëpër nëndegë në shumicën e komunave të Kosovës, ndërsa në shumicën e nëndegëve, PDK-së po i bashkohen anëtarë të rinj të profileve të ndryshme.

Procesi i brendshëm zgjedhor në Partinë Demokratike të Kosovës, po vijon sipas planit të hartuar nga Komisioni për zgjedhje të brendshme, në pajtim me rregulloret dhe procedurat e miratuara nga organet partiake, për të jetësuar vizionin e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli për Dekadën e Re.

Interesimi dhe angazhimi i anëtarësisë dhe qytetarëve për tu zgjedhur në strukturat e reja të PDK-së për Dekadën e Re është më i madh se asnjëherë më parë, ndërsa në shumë kuvende zgjedhore ka pasur qindra delegatë që kanë marrë pjesë në zgjedhje.  

Vetëm në kuvendin zgjedhor të nëndegës së pestë në Skenderaj pjesëmarrës ishin mbi 300  delegatë.

Në shumicën e kuvendeve zgjedhore gara për strukturat e reja të PDK-së po zhvillohet me nga së paku dy kandidatë për kryetarë të nëndegëve, ndërsa në shumicën e nëndegëve janë zgjedhur përfaqësues të rinj, duke konfirmuar procesin e reformave në të gjitha nivelet.    

Deri tani, kuvendet zgjedhore janë mbajtur në 480 nëndegë nga 1200 sa ka gjithsej Partia Demokratike e Kosovës në të gjitha komunat e Kosovës.