PDK nis fushatën për zgjedhje të jashtëzakonshme, Veseli propozohet për Kryeministër

Partia Demokratike e Kosovës gjatë ditës së sotme ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor në komunën e dytë më të madhe në Kosovë, në Prizren.

Nga “Jerusalemi” PDK ka nisur edhe fushatën  për zgjedhje të jashtëzakonshme, duke e bërë edhe propozimin për kryeministër të Kosovës.

Numri dy i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se vetëm me PDK-në në krye të qeverisjes mund të rikthehet besimi më i madh i partnerëve ndërkombëtarë dhe i qytetarëve në Republikën e Kosovës.

“Në këtë drejtim, neve na duhet që si parti e shpresës, e besimit, e optimizmit, që ta rikthejmë besimin në shtet. Këtë punë mund ta bëjë vetëm PDK-ja, dhe këtë punë mund ta bëjë vetëm Kadri Veseli, kur të jetë kryeministër i Republikës së Kosovës”, tha Hoxhaj.

Gjatë ditës së sotme PDK ka zgjedhur  Shaqir Totajn kryetar të Degës në Prizren, me unanimitet të plotë në Kuvendin zgjedhor ku ishin të pranishëm 434 delegatë. Po ashtu, delegatët kanë zgjedhur edhe 71 anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues si dhe 40 delegatë për Konventën Qendrore të PDK-së./Gazeta Express/.