Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Skënderaj, sot ka mbajtur Kuvendin zgjedhor të degës, në prani të delegatëve nga të gjitha nëndegët, Komisionit Qendror të zgjedhjeve dhe anëtari i kryesisë, Abelard Tahiri.

Në Skenderaj, në emër të kryetarit ka folur, anëtari i Kryesisë dhe njëherësh ministri, Abelard Tahiri, për Dekadën e Re dhe vlerat e kësaj platforme.

Ndërsa për fitoret dhe sukseset e degës në Skënderaj, foli kryetari Sami Lushtaku.

Ndërsa në emër të Komisionit për Zgjedhje të Skënderajt, foli Kryetari i Komisionit, Fadil Nura i cili tha se mbi 10 mijë vetë kanë marr pjesë në kuvendet e nëndegëve, në garë demokratike në të gjitha nëndegët. Këtë punë po e përfundojmë me këtë kuvend që është festiv e demokratik.

Kryetar u zgjodh Sami Lushtaku, po ashtu, Kuvendi zgjodhi Këshillin Drejtues me 71 anëtarë dhe 28 delegatë për Konventën qendrore.

Po ashtu, sot në Podujevë, është mbajtur Kuvendi zgjedhor në frymë demokratike, në një garë fer dhe demokratike, garë e ngushtë në mes të dy kandidatëve, Naim Fetahut dhe Fahri Osmanit.

Rezultati pas numërimit të votave ishte i ngushtë, 117 me 115 ku z. Fetahu zgjidhet kryetar dege i PDK-së, në Podujevë.

Në emër të Kryesisë dhe Komisionit qendror të zgjedhjeve foli z. Fehmi Mujota i cili theksoi se PDK po zhvillon një proces zgjedhor të pa parë në Kosovë deri më sot, proces i cili po krijon frymën e re të Dekadës së Re që pashmangshëm do ta bëj PDK-në forcën pa konkurrencë në Kosovë, me Kadri Veselin Kryeministër të ardhshëm.

Kuvendi zgjodhi edhe Këshillin drejtues dhe delegatët për Konventën qendrore të partisë.

Kuvendi zgjedhor i Degës së PDK-së në Gjilan, po ashtu u zhvillua me frymë demokratike dhe konform procedurave demokratike për procesin zgjedhor.

Në emër të PDK-së nga qendra foli nënkryetari Uran Ismaili dhe Zenun Pajaziti, të cilët theksuan procesin dhe garën demokratike në Gjilan, në secilën nëndegë, me platformën Dekada e Re e cila u bë për anëtarësinë e gjerë dhe qytetarët, vizion i së ardhmes duke iu bashkuar vizionit të liderit Kadri Veseli dhe PDK-së, për të ardhmen me besim, zhvillim dhe integrim.

Po ashtu, u theksua rëndësia e procesit zgjedhor, për Dekadën e Re, fuqizimit të shtetit dhe shtetësisë së Kosovës.

Pas numërimit të votave, rezultatet për kandidatët ishin si vijon: Qemal Mustafa, 197, ndërsa Flurim Arifi me 80 vota, 7 vota ishin të pavlefshme.

Po ashtu, Kuvendi zgjedhor në Gjilan, votoi për delegatët për Konventën qendrore të partisë dhe anëtarët e Këshillit drejtues.