PDK hap procesin zgjedhor; Veseli: Jemi vlerë dhe shpresë për zhvillimin e Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha në hapje të procesit zgjedhor partiak se Dekada e Re nuk është vetëm një fjalë, vetëm një moto, por është mision dhe shtytje drejt përmirësimit të jetës së secilit qytetar të vendit tonë.

“E di se është rrugë e gjatë dhe plot sfida. Por, kjo rrugë e Dekadës së Re është e pandalshme”, ka thënë Veseli.

Loading...

Ai ka uruar sot edhe ditëlindjen e themimit të PDK-së, duke falënderuar secilin qytetarë që ka mbështetur PDK-në që nga themimi.

Fjalimi i plotë i liderit të PDK-së Kadri Veseli:

Të nderuar anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës,

Anëtarë të Kryesisë, Këshillit Drejtues, Kryetarë të Degëve, Deputetë, Ministra,

Të dashur të pranishëm,

Sot është një ditë e veçantë për Partinë Demokratike të Kosovës.

Është ditë feste për ne dhe mbështetësit tanë të shumtë anekënd Kosovës.

Sot, ne fillojmë në mënyrë solemne zgjedhjet demokratike brenda partisë sonë.

Dhe, po sot, festojmë me krenari 19-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike.

Më lejoni që në emrin tim, tuajin dhe strukturës sonë, të falënderojmë nga zemra të gjithë aktivistët dhe mbështetësit tanë, familjet e Kosovës, për besimin dhe përgjegjësinë që na kanë dhënë për vendin në tërë këto vite rrugëtimi të përbashkët.

Sot, po ashtu, dëshiroj ta falënderoj edhe ish Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, i cili, së bashku me të gjithë ne, i dha shumë Kosovës dhe partisë tonë. Presidentin e vendit, Hashim Thaçin!

Të nderuar demokratë,

Nga sot, bashkë me festën, ne nisim edhe një rrugëtim të ri në Partinë Demokratike të Kosovës dhe me Partinë Demokratike të Kosovës.

Një rrugëtim të qartë dhe me përgjegjësi, për partinë tonë dhe për Kosovën.

Kemi arritur deri këtu me suksese dhe sfida që pakkush ka menduar se do t’i kalojmë. Por, edhe të vetëdijshëm se çfarë duhet të bëjmë më shumë dhe më mirë, me orientime të qarta për të ardhmen, për vendin dhe fëmijët tanë.

Kosova – shtet i lirë dhe sovran, ku ligji dhe ekonomia e lirë përcaktojnë të ardhmen tonë perëndimore – janë të qarta për ne.

Vizoni ynë për të ardhmen dhe njerëzit e mirë të këtij vendi – të cilët do të përpiqemi t’i mbajmë dhe afrojmë në strukturat udhëheqëse të partisë sonë – do të jenë pjesë e përkushtimit dhe përpjekjes sonë të re, që do ta arrijmë së bashku, ne të gjithë, në këtë proces zgjedhor, anekënd vendit tonë.

Kemi kaluar së bashku 19 vjet. Janë 19 vjet të sfidave të përbashkëta. Jo të lehta.

Nga një vend i pas-luftës, pa status, me pak resurse dhe shumë barriera, i shkatërruar pothuajse tërësisht, me plagë të mëdha e dëmtime në njerëz, ekonomi e prona, jemi shndërruar në vend të lirë e të sigurt për qytetarët tanë, në shtet të pavarur dhe sovran:

– Me stabilitet makro-ekonomik dhe makro-financiar.

– Me borxhin publik më të vogël në rajon.

– Me infrastrukturën më moderne në rajon, të ndërtuar tërësisht në këto 10 vjet.

– Me investimet vetanake në rrugë, shkolla, spitale.

– Me status dhe dinjitet të punonjësve publikë, në të gjitha kategoritë, nga mësuesit deri te profesorët akademikë; nga infermierët deri te specialistët; nga bujqit deri te inovatorët dhe inxhinierët e IT-së, nga policët deri te ushtarët.

– Me integrime të hapura në organizata ndërkombëtare.

– Me artistë dhe sportistë të shquar.

– Me perspektivë të qartë euroatlantike si vend, çdo ditë më i ndërtuar, më i kamur dhe më i sigurt.

Të nderuar demokratë,

Çdo gjë e madhe që është bërë gjatë këtyre viteve në Kosovë, mban edhe vulën e përkushtimit dhe vendosmërisë së Partisë Demokratike të Kosovës, lidershipit, anëtarësisë dhe strukturave të saj.

Njerëzit tanë kanë qenë të parët në të gjitha proceset e mëdha nëpër të cilat ka kaluar vendi.

Dija dhe mundi i tyre kanë lënë shenja të pashlyeshme në ri-ngritjen tonë si shtet, shoqëri, si komb.

Çlirimi, pavarësia dhe shtet-ndërtimi, modernizimi i vendit – janë tregime të mëdha të lidhura me lidershipin e Partisë Demokratike të Kosovës.

Janë merita të pamohueshme të Partisë Demokratike të Kosovës.

Është historia e përbashkët e Kosovës dhe e partisë sonë.

Ne kemi punuar shumë.

Pa modesti, kemi punuar shumë dhe më shumë dhe më mirë se gjithë të tjerët si parti në Kosovë.

Prandaj, edhe jemi sulmuar më shumë se gjithë të tjerët.

Ndjej respekt për ata që me kritikat e tyre kanë dashur që ne ta bëjmë edhe më mirë punën tonë. Do i dëgjojmë mirë dhe qartë. Ata janë miqtë e Partisë Demokratike të Kosovës. Ata janë njerëz që e duan Kosovën.

Por, na kanë sulmuar dhe na sulmojnë edhe ata që kurrë asgjë s’kanë bërë për Kosovën.

Na kanë sulmuar ata që nuk kanë dashur që Kosova të ketë liri, te ecë përpara.

Na kanë sulmuar edhe ata që nuk kanë besuar në lirinë dhe shtetin e pavarur e sovran të Kosovës si arritje.

Por, na kanë sulmuar edhe ata që vënë në pikëpyetje lirinë, shtetin dhe simbolet e Kosovës.

Ka prej tyre që natë e ditë shpifin kundër nesh.

Natë e ditë janë marrë me propagandë kundër nesh.

Por, ne nuk jemi ndalë. As nuk do të ndalemi.

Ne nuk jemi marrë, e as nuk do të merremi me ta.

Por, as nuk e kemi ulur kokën. Nuk jemi lëkundur në vizionin tonë. Nuk jemi dorëzuar para frikës dhe të keqes.

Nuk do të ndalemi as sot.

Sepse, një gjë është e qartë:

Kur ndalet PDK, ndalet Kosova!

Dhe, ne kurrë nuk do të ndalemi.

Sepse, kemi veç një jetë, një atdhe dhe një qëllim: Kosovën!

Të nderuar anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës,

Rrugëtimi ynë 19-vjeçar ka qenë me plot sfida dhe suksese të pamohueshme. Por, në rrugën tonë janë shfaqur edhe të meta dhe kanë ndodhur gabime.

Po! Kemi bërë edhe gabime e lëshime.

Kemi bërë gabime, të cilat e kanë dëmtuar moralin politik të partisë sonë, identitetin dhe qëllimet për të cilat është krijuar Partia Demokratike e Kosovës.

Kemi toleruar individë të caktuar edhe të na shfrytëzojnë, e të na dëmtojnë. Shumë nga ta janë larguar nga ne, duke e paraqitur veten si njerëz të mirë dhe viktima të partisë, ndonëse ishin përfitues për veten dhe dëmtues për partinë dhe vendin.

Të tillët, mirë kanë bërë që na janë larguar. Por, më mirë do të ishte sikur ne të ndaheshim me kohë prej tyre.

Dhe nëse të tillët tentojnë të gjejnë strehim te ne, nuk do t’i tolerojmë.

Të nderuar demokratë,

Ka ardhur koha ta fuqizojmë Kosovën, ta ndryshojmë vendin dhe ta ndryshojmë vetveten.

Të mos jemi tolerantë as symbyllur ndaj dëmeve që mund të na shkaktojnë fenomene dhe individë të caktuar.

Armiku numër një i Kosovës, sot nuk është rreziku nga jashtë. Është vetë dëmtimi që mund t’i bëhet shtetit tonë, lirisë sonë, ekonomisë sonë, nga fenomeni i korrupsionit.

Ne do ta luftojmë korrupsionin në shumë fronte.

Korrupsionin që dëmton perspektiven e familjeve tona. Dhe, korrupsionin tjetër, atë që korrupton idenë, shtetin dhe simbolet e Republikës së Kosovës.

Por, me të drejtë, njerëzit e mirë të këtij vendi, presin më shumë nga ne. Sepse, gjithmonë kanë pritur nga ne arritje.

Presin nga ne që të punojmë shumë dhe të mos e tolerojmë aspak korrupsionin dhe të korruptuarit.

Ata presin nga ne dhe ne do ta bëjmë këtë.

Të nderuar demokratë,

Në përgjegjësinë tonë institucionale, si parti, në të gjitha dikasteret, ministri e komuna, kam kërkuar rezultate konkrete, e jo fjalë!

 

Ia kemi vënë vetes qëllim – transformimin ekonomik të Kosovës dhe modernizimin e shoqërisë sonë.

 

Kjo është Dekada e Re.

 

Dekada e Re nuk është vetëm një fjalë, vetëm një moto. Është mision dhe shtytje drejt përmirësimit të jetës së secilit qytetar të vendit tonë.

 

E di se është rrugë e gjatë dhe plot sfida. Por, kjo rrugë e Dekadës së Re është e pandalshme.

 

Në Dekadën e dytë të pavarësisë do të kemi një dinamikë shumë herë më të madhe të zhvillimit ekonomik.

 

Do të jetë kjo dekada e edukimit cilësor, që i aftëson të rinjtë tanë dhe u garanton atyre pjesëmarrje të barabartë me të tjerët në tregun e punës, brenda dhe jashtë vendit.

 

Kjo do të jetë dekada e shëndetësisë efektive, me të cilën do të marrin fund bredhjet e qytetarëve tanë nëpër spitalet e huaja për t’u shëruar dhe shpenzuar kursimet e tyre.

 

Ne kemi mjekë të shkëlqyeshëm, por duhen investime kapitale në shëndetësi. Ne kemi filluar transformimin e madh në shëndetësi dhe do ta përfundojmë këtë projekt madhor të Kosovës.

 

Ne, Partia Demokratike e Kosovës.

 

Kjo do të jetë dekada e inovacionit, e ndërmarrësisë, e shkathtësive të reja, dhe e teknologjisë. Dekada që përgatit të rinjtë tanë për revolucionin e katërt industrial – ku zbehen vijat në mes ekonomisë tradicionale dhe asaj digjitale.

 

Kjo do të jetë dekada e kalimit të madh nga ekonomia konsumuese – në ekonominë prodhuese. Dekada e kalimit të Kosovës nga vend me probleme sociale dhe varfëri – në vend me kapitalizëm modern, që promovon kapitalin privat dhe balancon nevojat sociale të shoqërisë, pa dëmtuar zhvillimin e ekonomisë së tregut.

 

Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm njerëzor dhe burime natyrore.

 

Por, ajo që na duhet sot janë idetë e guximshme ekonomike, iniciativa e lirë ekonomike dhe definimi i shtetit si mekanizëm ndihmues i sektorit prodhues, e jo si mekanizëm që ngulfat iniciativën e lirë të ndërmarrësisë me taksa të padrejta dhe barriera burokratike.

 

Partia Demokratike e Kosovës beson se vetëm përmes orientimit djathtist të politikave ekonomike, liberalizimit të tregut, lehtësimeve të tatimeve dhe taksave për ndërmarrësit, vendi ynë mund ta çlirojë potencialin e tij zhvillimor.

 

Në këtë rrugë, do të vazhdojmë edhe reformat në sistemin tonë të drejtësisë, me veprime konkrete dhe me partnerët ndërkombëtarë.

 

Do të ketë të drejta dhe barabarësi para ligjit më shumë. Por, edhe  jotolerancë dhe sanksione deri në konfiskim të pasurisë dhe privim të lirisë për ata që mendojnë të pasurohen në kurriz të Kosovës.

 

Jemi duke punuar në Draft-ligjin e Integritetit, të njohur në publik si Veting.

 

Vetingu është i pandalshëm, ashtu siç do të jetë i pandalshëm edhe dënimi final i krimeve të komunistëve jugosllavë në Kosovë.

 

Dekada e Re e pavarësisë është dekada e besimit në shtetin e Kosovës, dekada e integrimit euro-atlantik, si shtet me vizion dhe identitet të qartë perëndimor, aleat besnik i partneritetit euro-atlantik.

 

Këto janë detyrat tona.

 

Të dashur miq,

 

Një pjesë e madhe prej nesh që jemi prezentë në këtë sallë, kemi marrë pjesë në luftën çlirimtare.

 

Por, me të drejtë është fjala – se i gjithë populli i Kosovës ka qenë çlirimtar!

 

Secili prej nesh ndihet krenar që është pjesë e asaj historie madhështore, që ka pasur guximin dhe vendosmërinë për t’u ballafaquar me Serbinë.

 

Por, nuk mund të kuptojmë idetë që sot, pas 20 vjetësh në liri, nxisin me tendencë konfrontime në mes nesh – duke hapur dilema për identitetin dhe shtetin tonë. Me pyetjet që tentojnë të vënë në dilemë qytetarët tanë – se a janë për shtetin, apo për flamurin kombëtar?

 

Ne u çliruam dhe arritëm këtë shtet, fal guximit të popullit, vendosmërisë dhe mençurisë për të përfituar partnerë strategjikë si SHBA, Gjermania, Anglia, Franca, Italia, Japonia, e të tjerë.

 

UÇK ishte një nga lëvizjet më të mençura çlirimtare dhe kombëtare të shqiptarëve. Arritëm idealin e të parëve. Hapëm portat e mëdha të lirisë!

 

Kush godet sot shtetin e Kosovës, simbolet e tij, godet më së rëndi vetë kombin shqiptar.

Të dashur miq,

 

Do të vazhdojmë frymën e respektit dhe tolerancës, por edhe vendosmërinë e ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit tonë.

 

E kemi dëbuar Serbinë përgjithmonë nga ky vend, bashkë, më 1999. Por, nuk ka mbaruar koha për t’u dëshmuar për Kosovën edhe sot. Përkundrazi.

 

Tash është koha për mençuri e maturi në orientimin tonë të qartë perëndimor dhe modernizimin e shoqërisë sonë.

 

Ne duam paqe të qëndrueshme dhe stabilitet me fqinjët tanë.

 

Shqipëria është për ne më shumë se shtet fqinj.

 

Maqedoninë e duam shtet stabil dhe e respektojmë si sovranitet, ashtu si dhe mikun tonë të veçantë – Malin e Zi.

 

Por, duam fqinjësi të mirë edhe me fqinjin tonë verior – Serbinë. Nuk duam më luftë, as konflikte.

 

Lufta është e rëndë. Ne shqiptarët e dimë sa e rëndë është ajo. Kemi humbur shumë të dashur në luftë. Na ka kushtuar me humbje dhe shkatërrime të mëdha.

 

Por, edhe pas luftës, për lirinë tonë, kemi pësuar. Njerëzit tanë të lirisë na janë burgosur. Sot, ende e kemi të burgosur Komandantin e Përgjithshëm, Sylejman Selimin.

 

Ashtu si dhe një nga komandantët më të suksesshëm të luftës, Komandantit të Brigadës së krenarisë së UÇK-së “Adem Jashari”, Jahir Demakun.

 

Pra, ne po paguajmë ende çmim për lirinë tonë, ndërsa krimet ndaj popullit tonë nuk po ndëshkohen.

 

Kjo nuk është e pranueshme për ne, as e kuptueshme si logjikë. Por, si realitet, ne e kuptojmë çmimin e shtetit tonë.

Do të shkojmë të dialogojmë me Serbinë, në vend të opsionit të luftës.

Por, Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Dhe, ne duhet të jemi të bashkuar. Sepse, Kosova është e të gjithëve.

Ne shkojmë në fazën finale të Dialogut, për njohjen reciproke, ulësen në OKB dhe anëtarësimin në NATO dhe BE.

Dhe, PO…. askush të mos e çojë nëpër mend se Flamuri i Kosovës nuk do të valëvitet në Boletinin e tribunit tonë dhe në tërë Kosovën.

Të nderuar demokratë,

Rruga për të ardhur deri këtu, nuk ka qenë e lehtë. Jemi krenarë për atë që kemi arritur dhe të vetëdijshëm e falënderues çdo herë për gjithë miqtë që na kanë ndihmuar.

Por, jemi falënderues dhe shumë borxhlinj edhe ndaj njerëzve tanë këtu dhe njerëzve tanë në diasporë. Ata bënë gjithçka për lirinë tonë, familjet tona, shtetin tonë, ashtu siç janë në gjendje të bëjnë edhe sot.

Ky shtet, ne, kemi shumë obligim ndaj tyre.

Ne do të bëjmë më shumë bashkë për Kosovën.

Në Dekadën e Re, do të vendosim bazën e përfaqësimit të Diasporës në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Kosova ka nevoje për ta, gjithmonë dhe kudo.

Ata janë pjesë e jona. Fëmijët e tyre duhet të rriten në Kosovë.

Të nderuar anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës,

Nga sot, ne hyjmë në zgjedhje demokratike të partisë sonë.

Si paraprijëse të këtyre zgjedhjeve partiake, kemi pasur një proces zgjedhor të shkëlqyeshëm në Rininë Demokratike.

20 mijë të rinj iu përgjigjen thirrjes sonë zgjedhore. Rinia tregoi se është me PDK-në dhe PDK mbetet adresa më e mirë, më e mbarë, më e fuqishme e angazhimit të tyre për shtet, zhvillim dhe integrim.

Pikërisht sot, në 19-vjetorin e themelimit te Partisë Demokratike të Kosovës, ne po fillojmë një proces të ri zgjedhor brenda-partiak.

Nga ky proces do të varet se si do të jetë e ardhmja e Partisë Demokratike të Kosovës dhe kush do të vendosë për të ardhmen e vetë shtetit të Kosovës.

Partinë Demokratike të Kosovës, këto zgjedhje do ta nxjerrin më të fortë, më të konsoliduar dhe më të gatshme për të marrë rolin vendimtar në sfidat e Dekadës së Re.

Ne që kemi transformuar Kosovën, kemi fuqi ta transformojmë edhe veten.

Prandaj, na duhet  një proces i pastër demokratik zgjedhor.

Transparencë, gjithëpërfshirje, hapje e dyerve për secilin qytetar që ka ide, potencial kadrovik dhe intelektual.

Askush nuk mund të lihet anash.

Askush nuk mund të përjashtohet.

Secili është i domosdoshëm.

Secili është i mirëpritur.

Zgjedhjet për PDK-në, në mbi 1200 njësi zgjedhore partiake, do të jenë

rrugë e hapur dhe mundësi angazhimi – pa dallim, të rinj e të vjetër.

Kosova ka nevojë për njerëzit e vet.

Kosova ka nevojë për një adresë të fuqishme.

Kosovës i duhet një udhëheqje e fuqishme, e qartë, vizionare.

E sigurt për të ardhmen, e vendosur për të sotmen!

Kush mund të jetë tjetër kjo adresë, pos partisë sonë, të nderuar demokratë?

Partisë së lirisë, ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit.

Që zgjidh probleme pa përçarje e ndarje mes vete. Që bashkon dije, njerëz dhe fuqi brenda e jashtë, për të mirën e kombit dhe shtetit.

Sot, do të bëj thirrje në çdo cep të Kosovës dhe në Diasporë:

Bashkohuni dhe bëhuni pjesë e ndërtimit të së ardhmes tuaj, shtetit tuaj, në PDK, ju intelektualë, punëtorë, profesionistë, zanatlinj, bujq, minatorë, shkencëtarë, artisë, sportistë..

Kush e do Kosovën e zhvilluar ekonomike, moderne, perëndimore, bashkojuni PDK-së, për veten tuaj, për Kosovën tonë, për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Partia Demokratike e Kosovës është parti e së ardhmes perëndimore të shtetit tonë modern.

Ne e kemi ndërmend të ecim përpara.

Askush dhe asgjë nuk do të mund të na pengojë.

Sepse, Kosovës i duhet një vizion për të ardhmen.

I duhet në forcë politike që e përmbush këtë vizion.

I duhet një lidership i vendimeve të mëdha.

Lidership i guximit dhe veprimit

E kush mund ta bëjë më mirë këtë sesa partia e lirisë, partia e shtet-formimit, partia e modernizimit të shtetit, partia e kursit perëndimor të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës?

Prandaj, bashkohuni me PDK-në!