Pas tre javësh, Policia gjen 23-vjeçarin nga Mitrovica

Policia e Kosovës, ka arritur ta gjejë Azem Isufin, për të cilin raportohej se kishte humbur që kur ishte larguar nga shtëpia e tij me 1 tetor të këtij viti.

Familjarët e 23 vjeçarit nga Mitrovica kanë folur për Klan Kosova dhe kanë bërë të ditur se Azem Isufi është gjetur nga Policia në pjesën veriore të Mitrovicës.

Loading...

“Azemin e ka gjetur Shërbimi Policor i Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës. Ne nuk kemi informacion më shumë, vetëm se na ka telefonuar policia dhe ishim në stacion për ta verifikuar se a është Avnia. Ai është në gjendje të mirë shëndetësore”, ka thënë djali i axhës së personit në fjalë, Jakup Isufi.

Familjarët e personit në fjalë gjithashtu kanë bërë të ditur se Azem Isufi tani ndodhet në stacionin policor në pjesën Jugore të Mitrovicës dhe se policia nuk i ka lejuar ata që të zhvillojnë bisedë me të për shkak të procedurave që duhej respektuar.