Pas grevës, Bojan Bozovic punësohet në Telekomin e Kosovës

Anëtari serb i Partisë Demokratike të Kosovës, Bojan Bozovic i cili para pak orësh kërcënoi Qeverinë e Kosovës më grevë urie nëse nuk kthehet në punë në Telekomin e Kosovës, duket se ia doli qëllimit të tij.

Ai tha se e përfundoi grevën pasi që u pranua përsëri si punëtor në Telekomin e Kosovës VALA.

“Unë me këtë e përfundova grevën e urisë sepse tani jam përsëri punëtor i Telekomit të Kosovës. Kontratën e kam për 3 muaj dhe pas 3 muajsh do të shpallet një konkurs i ri, i cili besoj që do ta konfirmojnë punën time përgjithmonë aty. Kontratën e kam nënshkruar me zyrtarë të burimeve njerëzore dhe e ka nënshkruar u.d. Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi dhe besoj që kjo është kontrata e fundit mbi vepër”, tha Bozovic.

Në lidhje me deklaratat e tij se është rikthyer përsëri në punë. 

Arsim Bilalli e konfirmoi se Bozovic është  angazhuar përkohësisht me kontratë pune.

“Bojan Bozovic nuk ka kontratë të rregullt në Telekomin e Kosovës dhe si rrjedhojë është i angazhuar përkohësisht me kontratë për punë dhe detyra specifike”, tha Billalli për kallxo.com.

Ndryshe muaj më parë, Bojan Bozovic kishte kërcënuar edhe me vetëvrasje nëse nuk punësohet përsëri në Telekomin e Kosovës, si dhe para kësaj i ishte drejtuar me një letër zyrtare edhe Qeverisë së Kosovës.

Ai edhe herën e kaluar kishte punuar me kontratë mbi vepër.